Google ADS

“SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të NATO-s”

22:49 | 10 Mars 2022
Trina Galanxhi

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyn në javën e saj të tretë, “SHBA-ja është e përgatitur të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha nënpresidentja e vendit Kamala Harris në Varshavë, raporton Anadolu Agency (AA).

“SHBA-ja e merr seriozisht se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”, tha Harris në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin polak Andrzej Duda në kryeqytetin e Polonisë, duke iu referuar Nenit 5 të Kartës së NATO-s.

Mes një lufte që tregon “mizori në nivelin e saj maksimal”, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Polonisë janë forcuar edhe më shumë, shtoi ajo, një ditë pasi një sulm rus shkatërroi një maternitet në Ukrainë.

Vizita nga Harris erdhi gjithashtu si pjesë e përpjekjeve për të shëruar një përçarje pasi SHBA-ja hodhi poshtë një plan që Polonia të furnizonte Ukrainën me avionë luftarakë duke përdorur SHBA-në si ndërmjetëse.

Polonia kufizohet me Ukrainën në lindje dhe mbi 1,4 milion refugjatë të luftës kanë kaluar kufijtë e saj, më shumë se çdo vend tjetër.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, duke çuar në sanksione financiare ndaj Moskës, dhe ka nxitur një largim masiv të kompanive globale nga Rusia.

Të paktën 516 civilë janë vrarë dhe 908 të tjerë janë plagosur në Ukrainë deri më tani, sipas shifrave të OKB-së, kurse shifrat reale dyshohen të jenë më të lartë.

Më shumë se 2,3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme