Google ADS

Në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike

22:27 | 10 Mars 2022
L G

Në Kosovë llogaritet se janë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike.

Personat përgjegjës që merren me rehabilitimin e këtyre njerëzve, thonë se droga e tipit kokainë është në treg e që mosha e përdoruesve ka rënë ndër vite.

Rreth 40 mijë llogaritet të jetë numri i përdoruesve të substancave narkotike në Kosovë. Mosha mesatare e atyre që abuzojnë me këto substanca nga viti në vit ka shënuar rënie. Aktualisht mosha më e re që abuzon me droga është 16 vjeç, dhe përdoret lloji i drogës marihuanë. Ndërkaq për sa i përket llojit kokainë, mosha e përdoruesve ka rënë nga 37 vjeç sa ishte në 26 vjeç.

Kështu thotë për Radio Kosovën Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

’’Trendi i përdorimit të drogave në Kosovë është që droga e tipit heroinë ka rënë shumë por kanabisi është në vendin e parë. Më pas vjen droga e tipit kokainë e që po shënon përdorim të shpejtë e rënie të moshës. Nëse llogaritet para tri viteve mosha mesatare ka qenë 37 vjeç, ndërkaq në vitin 2021 ka qenë 26 vjeç, e që është shumë shqetësuese’’, thotë Blakaj.

Sipas Blakaj, në qendrën ‘Labirint’ që ai e udhëheq ndihmë mjekësore që nga fillimi i punës kanë kërkuar mbi 2 mijë persona, e që vlerësohet që janë pak krahasuar me përdoruesit e substancave narkotike që i ka vendi.

’Numri i përgjithshëm i të regjistruarve në qendër që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është 2 mijë e 723, përfshirë të gjitha drogat. Sipas të dhënave në teren del se numri i përdoruesve të përgjithshëm është rreth 40 mijë përdorues’’, tha ai

Psikologët në vend shpjegojnë arsyet e përdorimit të substancave narkotike te të rinjtë.

Arlinda Gashi, psikologe, duke folur për Radio Kosovën tha se përdorimi i substancave narkotike lidhet edhe me gjendjen emocionale.

“Studimet flasin për përdoruesit e substancave narkotike ku kanë gjetur një ndërlidhje me depresionin e personave që vendosin të futen në këto ujëra. Ka tendencë që personat që përjetojnë depresion janë më të hapur ndaj përdorimit për të ikur nga gjendja reale e tyre emocionale e që i shtyn deri në varësi’’, tha ajo.

Ndërkaq autoritetet e rendit përmes postës elektronike kanë dërguar të dhënat për sasinë e substancave narkotike të konfiskuara për vitin 2021.

Aty thuhet se sasia e konfiskuar e marihuanës është 499 kg, e kokainës është 414 kg , e heroinës është 3 kg . Gjithashtu gjatë vitit 2021 janë zbuluar dhe shkatërruar 3 laboratorë te kultivimit te bimës kanabis në Regjionin e Prishtinës.

Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka njoftuar ditë më parë se në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, autoritetet kanë kapur 83.5 kilogramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit heroinë.

Sipas tyre, deri më tani janë arrestuar shtatë persona. Droga u gjet gjatë kontrolleve të doganierëve në një maune që ishte nisur nga Turqia.

Të ngjashme