Berge e demantoi se e mbështeti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshillin e Evropës, sqarohet zëvendëskryeministri Bislimi

20:16 | 10 Mars 2022
L G

Zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, sot e ka demantuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili tha se Berge mbështeti iniciativën e Kosovës për aplikim anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Berge në Twitter, shkruan arbresh.info.

Bislimi kishte shkruar se Berge në Strasburg gjatë takimit që kanë pasur e kishte mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kënaqësi të takoj Bjorn Bergen gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në theksimin e progresit të lavdëruar të Kosovës, reformave dhe përafrimit me vlerat dhe politikat e jashtme evropiane”, kishte shkruar Bislimi.

Ndërsa sot pas reagimit të zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, është sqaruar Bislimi, i cili thotë se i vjen keq për përdorimin e termit joadekuat.

“Me të vërtetë falënderues për Bjorn Berge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë, më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhej të ishte “ne informuam”, ka shkruar Bislimi mbi reagimin e zëvendëssekretarit të Këshillit Evropian./arbresh.info/

Të ngjashme