Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti do të rrisë kontrollet dhe mbikëqyrje në mënyrë që të parandalojë manipulimet dhe përfitimet në emër të krizës aktuale të ngritjes së çmimit të produkteve ushqimore dhe naftës.
“Unë e di që qytetarët e kuptojnë fare mirë se çmimet nuk i vendosë Qeveria, e aq më pak unë. E di që ata e njohin shumë mirë përpjekjen e qeverisë sonë për t’i dalë në ndihmë atyre. Sikurse e di që kjo nuk do të thotë se ata nuk brengosen kur çmimet rriten. Ato nuk i kontrollojmë dot, por ajo që mund të kontrollojmë e do të ndalojmë, është manipulimi e përfitimi në emër të krizës, prandaj edhe do të shtohen kontrollet dhe mbikëqyrja”, është shprehur Kurti, shkruan arbresh.info.
Ai gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës pohoi se nëse në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike ajo që e nxiti ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit, këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë despotike, ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës.
“Kujtojmë se Rusia është prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Energjia elektrike, që mundëson prodhimin dhe nafta që mundëson transportin e produkteve të prodhuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të furnizimit me produktet që ne i konsumojmë, na e përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet që i shohim nëpër raftet e marketeve tona”, ka thënë Kurti./arbresh.info/
Fjalimi i plotë i Kurtit
Para nesh kemi një mbledhje shumë të rëndësishme të Qeverisë sonë me vendime tejet të vlefshme për vendin tonë. Do t’i shqyrtojmë propozimet për dy borde të ndërmarrjeve publike Hidromoravë e Infrakos, pastaj kemi Organin Shqyrtues të Prokurimit; Komisionin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, plotësim-ndryshimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, blerjen e dy objekteve të dy ambasadave tona në Uashington D.C dhe në Londër, heqjen e vizave për qytetarët e Ukrainës, dy marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Poloninë dhe Turqinë, e të tjera e të tjera.
Por, para se të kalojmë në këto pika, më lejoni fillimisht të them se, sot po bëhen dy javë prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, që përveç se fatal për mijëra ukrainas, tashmë ka shënuar mbi 2 milionë refugjatë. Republika jonë, sikurse në rastin e krizës humanitare në Afganistan, ka treguar bujari, duke shprehur gatishmërinë për pranimin e deri në 5000 refugjatëve nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, ndërkaq kemi ndarë 150 mijë euro për pranimin e 20 gazetarëve ukrainas.
Popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar përballë një agresori të vetëm e në mbrojtje të demokracisë së të gjithëve. Jemi dëshmuar edhe vjet për humanizmin tonë. Para disa muajve patëm pranuar 1400 refugjatë nga Afganistani dhe rreth 300 prej tyre janë ende në Ferizaj.
Nëse në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike ajo që e nxiti ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit, këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë despotike, ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës.
Kujtojmë se Rusia është prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Energjia elektrike, që mundëson prodhimin dhe nafta që mundëson transportin e produkteve të prodhuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të furnizimit me produktet që ne i konsumojmë, na e përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet që i shohim nëpër raftet e marketeve tona.
E di dhe e kuptoj shqetësimin e gjithsecilit prej jush, e që është gjithsecili prej nesh, për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo gjë nuk është shkaktuar nga ne, as si vend e as si qeveri, ajo megjithatë po na prekë edhe neve.
Kur para 13 ditëve iu bashkuam botës perëndimore për të vendosur sanksione kundër agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë. Sanksionet e vendosura kanë prekur çmimet në pothuajse të gjithë sektorët e tjerë.
E për fatin tonë të keq, ne kemi varësi ndaj importit si në energji elektrike, sepse nuk kemi kapacitete të mjaftueshme të gjenerimit, si në naftë, sepse nuk kemi burime të naftës, si në produkte që konsumojmë, sepse për shumë gjatë prodhimtaria vendore nuk është trajtuar me prioritet nga ata të tjerët, që dikur uleshin këtu në vend tonin.
Por, pavarësisht gjithë kësaj dhe në pamundësi për të ushtruar politika monetare, si qeveri jemi munduar vazhdimisht që ta zbusim ndikimin e kësaj situate, sidomos tek ata që janë më të cenueshëm. Sepse krizat na prekin të gjithëve, mirëpo jo të gjithëve njësoj. Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, e patëm dyfishuar shumën e asistencës sociale. Po e vazhdojmë përgjatë gjithë këtij viti mbështetjen shtesë për 26 mijë familje me asistencë sociale. Në muajin nëntor, po ashtu ua kemi ndarë një shtesë prej 100 euro 300 mijë pensionmarrësve. Pensionet bazike i rritëm për 11%, kurse për personat me aftësi të kufizuara për 33%. Rreth 12 mijë nëna të reja marrin shtesa për lehona dhe për fëmijët e tyre të porsalindur. Ndërkaq, kemi zotuar buxhet, që 600 mijë amvisëri të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Vetëm në katër muajt e fundit kemi ndarë 190 milionë euro si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.
E kur qeveria është në anën e qytetarëve, mbështetja për ta nuk ka se si të mos vazhdojë. Pasdite, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të bëjmë një njoftim shumë të rëndësishëm për bujqit tanë. Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve jam njoftuar që së shpejti do të fillojmë me zbatimin e masës 1.6 të Pakos për Ringjallje Ekonomike, që ka për qëllim mbështetjen e punësimit për personat me nevoja të veçanta. Për këtë do të ketë një njoftim më të detajuar gjatë kësaj jave.
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...