Google ADS

Ose Putini do të bie, ose Europa do të përfshihet në një Luftë të re të Ftohtë, thotë eksperti amerikan

00:30 | 8 Mars 2022
Trina Galanxhi

Sipas Walter Russell Mead, NATO i ka duart e lidhura dhe është “shumë e qartë se nuk do të luftojë kurrë për Kievin”. Por nga ana tjetër, presidenti rus “ka bërë llogaritë gabim” dhe Rusia gjithnjë e më shumë po hyn në telashe.

“NATO nuk do të luftojë kurrë për Ukrainën, edhe kjo është shumë e qartë, sepse nga pikëpamja ushtarake duart e saj janë të lidhura. Por, nga ana tjetër Rusia është në vështirësi të madhe, sepse nuk e ka pritur një reagim kompakt dhe të menjëhershëm nga Perëndimit”, tha Ëalter Russell Mead, një nga ekspertët kryesorë amerikanë në marrëdhëniet ndërkombëtare, transmeton portal arbresh.info

Sipas tij, lufta në Ukrainë pritet të sjellë rikthimin e një Lufte të Ftohtë me tensione edhe më të mëdha se sa ato që janë përjetuar në të kaluarën.

“Tani të gjithë po punojnë për të gjetur zgjidhje të shpejta, improvizojnë sepse nuk ndodhi ajo që duhej të ndodhte”, shpjegon Mead në një intervistë për La Stampa.

Ai thekson se NATO ka kufizime mbi ato që mund të bëjë.

“Ne jemi në një skenar në disa mënyra të ngjashme me atë të vitit 1956 në Hungari ose 1968 në Çekosllovaki, kur tanket sovjetike po avanconin. Megjithatë, ne ende nuk e kemi parë se deri ku mund të shkojë lufta kibernetike, përveç disa sulmeve në faqet e qeverisë ruse”, shtoi ai.

Putin, sipas ekspertit amerikan, “e nisi pushtimin pa vuajtur frenimin e Perëndimit”, por “ka llogaritur gabim”.

“Kremlini nuk priste një reagim kompakt nga ana e Perëndimit. Mendoj se ata nuk kanë menduar për shembull që edhe Japonia mund të rreshtohet krah Perëndimit dhe të sanksionojë Moskën. Më pas, sanksionet ndaj bankës qëndrore ruse ishin jashtë radarit rus”, tha ai.

Sipas ekspertit amerikan, problemi më i madh tani është se Presidenti rus nuk e ka më kontrollin e plotë të situatës.

“Kur fillon një konflikt”, shpegon Mead, “humbet menjëherë kontrolli i ngjarjeve. Lufta është bërë një element i mbijetesë, jo vetëm për Putinin, por edhe për regjimin dhe elitën ruse të lidhur me pushtetin e tij. Ata përdorin propagandë për të thënë se Perëndimi është i bashkuar kundër Rusisë dhe kjo jep tone patriotike. Pastaj thonë se ushtria ukrainase po vret ushtarët rusë”.

Cilat janë, pra, skenarët dhe zgjidhjet e mundshme të krizës?

Sipas ekspertit amerikan, një revoltë e brendshme brenda Rusisë nuk mund të përjashtohet.

“Nëse Putini nuk bie, në Europë do të shfaqet një skenar i ri i Luftës së Ftohtë, por me tensione më të mëdha. Unë nuk përjashtoj një konflikt të ngrirë që do të zvarritet për një kohë shumë të gjatë mes armëpushimit, negociatave dhe përleshjeve”, shtoi ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme