Konjufca: Për 24 vjet jam përpjekur të shkruaj për 5 marsin, por sakrifica e Jasharajve është përtej fjalëve

13:32 | 5 Mars 2022
S D

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në seancën solemne të 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vlerësuar lartë rënien e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes së tij në luftën për liri.

Konjufca bëri të ditur se gjatë këtyre 24 vjetëve me qindra herë ka provuar të shkruaj për 5 marsin, por se sakrifica e Jasharajve është përtej fjalëve.

“Jam përpjekur gjatë këtyre 24 vjetëve deri sot me qindra herë të shkruaja për 5 marsin, por, nuk kam mundur – jo pse s’kam provuar por pse nuk ja kam dalë kurrë. Si do që filloja, nga do që ja nisja, kah do që vazhdoja fjalëve ju ndodhte një ngërç i pashmangshëm, i pashpjegueshëm – një tjetërsim i predestinuar”.

“Asnjë renditje e tyre nuk më bindte që mund të përfshinte të plotë aktin e fjalimit të Jasharajve dhe aty e kuptova që fjalët në të vërtetë janë tokësore e sakrifica e Jasharajve është e përtejme. Në Tokë vlejnë ligjet fizike dhe tekatarëve e 5 marsi i takon një dimensioni tjetër. Asnjë fjalë, asnjë mendim, asnjë shprehje hiç asnjë këngë, kurrë njëfarë arti apo vepre çfarëdo qoftë nuk është e aftë të prek palcën e kësaj sakrifice”.

Tutje, Konjufca tha se rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në dhe se pas 5 marsit i gjithë populli u bë UÇK.

“Deri më 5 mars kemi menduar se heronjtë janë individë, pas 5 marsit dëshmorë u bë krejt populli. Deri më 5 mars çlirimi ishte përpjekje dhe mundësi, pas 5 marsit çlirimi u bë imperativ. Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UCK-në dhe popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që duhet të shpëtohet, por, si më të çmuarën që duhet të jepet”.

“Deri më 5 mars donim të fitonim, pas 5 marsit nuk mund të humbnim më sepse krejt populli u bë UÇK”, tha Konjufca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme