Është ylli i ri i “shenjtorëve”, Armando Broja tregon historinë e tij

20:10 | 4 Mars 2022
Lorik Gerbeshi

Ai është padyshim sulmuesi i momentit në Premier League, me golat dhe paraqitjet në fushën e blertë, Armando Broja ka bërë për vete të gjithë tek Southamptoni.

“Shenjtorët” kanë zbuluar një yll të ri dhe shpresojnë që ta mbajnë sa më gjatë në skuadër. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ku ka treguar këto 6 muaj të parë në skuadër, ambiciet dhe objektivat e tij.

Çfarë sezoni fantastik ke pasur. E ke shijuar atë?

Po. 100%. Kam shijuar çdo minutë në stërvitje dhe në ndeshje, me shokët e skuadrës dhe çdo njeri. Jam me fat që luaj në këtë skuadër, mbi të gjitha që më ka dhënë shansin që të luaj në Premier Ligë. Sa herë që aktivizohem dua ta ndihmoj.

Keni shënuar 9 gola deri tani. I keni kaluar pritshmëritë apo mendonit se do të shënonit kaq shumë?

Goli nuk është fare problem për mua. Nëse punon sa duhet dhe përkushtohesh, golat do të vijnë. Sigurisht që më ka shkuar mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Në fillimin e sezonit e patët pak të vështirë që kapnit vendin në formacionin titullar. Çfarë ndryshoi te Broja?

Nuk e di. Mund të them që në fillimin e sezonit kuptova që duhet të punoja më shumë në seancat stërvitore. Fola me trajnerin, mora informacionet e duhura dhe nisa të përshtatesha pak nga pak deri sa arrita në këtë formë.

Ndoshta mësimi dhe leksionet që ke marrë gjatë kësaj kohe të kanë shërbyer.

Sigurisht që po. Unë erdha këtu si një lojtar shumë i ri dhe duhet të mësoj çdo ditë. Tani jam duke u bërë burrë edhe në aspektin e lojtarit. Southamptoni është si një familje e madhe, e cila më çon në rrugën e duhur dhe më përmirëson. Dua të jem vetvetja në fushë dhe kjo është më e rëndësishmja.

Cilët janë ata persona që realisht ju bëjnë të ndiheni si në shtëpi?

Çdokush nga klubi, duke filluar që nga trajneri, lojtarët, si të vjetrit ashtu edhe të rinjtë. Çdo njeri këtu është pozitiv. Është diçka e bukur t’i kesh këta njerëz rreth teje sepse të japin mundësinë që të përmirësohesh në fushë.

Largohemi pak nga futbolli. A ndiheni mirë në qytet?

Po. Është shumë mirë këtu. Është një qytet shumë i bukur, jo shumë i madh, ku ka hapësira për çdo gjë. Mund të dalësh për një shëtitje pas stërvitjes apo ndeshjesh. Kam edhe familjen këtu dhe kjo është diçka shumë e mirë.

Ju keni thënë shpesh që ata të ndjekin në çdo ndeshje?

Po është e vërtetë. Ata më kanë ndjekur hap pas hapi që në fillimin e karrierës time. Kanë qenë në çdo ndeshje, që kur isha i ri dhe në çdo turne që bëja. Gjithmonë ishin aty për të më mbështetur, si në shi, në borë apo në diell. Nëna më merrte gjithmonë nga shkolla dhe më çonte në stërvitje, po ashtu si babai që më priste. Kam pasur fatin që të kisha dy prindër të tillë.

Kanë kaluar vetëm 6 muaj nga dita e parë që keni ardhur te Sauthemptoni, por a e mbani mend?

Koha kalon shumë shpejt. Sigurisht që e kujtoj edhe momentin kur erdha këtu. Jam i kënaqur për mënyrën si kanë shkuar gjërat. Siç e thashë erdha këtu si një djalë i ri dhe tani po rritem nga dita në ditë. Kam bërë progres dhe i jam falënderues Sauthemptonit për këtë.

Ju folët për rritjen tuaj te Sauthemptoni. Sa e keni kuptuar që të rinjtë janë një nga elementët kryesorë të këtij ekipi?

Është e vërtetë. Ky klub tashmë njihet si një nga klubet që bazohet tek të rinjtë dhe prodhon lojtarë. Në të shkuarën këtu kanë luajtur Mane, Van Dajk dhe Hojbjerg. Kjo skuadër është vendi i duhur ku mund të mësosh dhe të rritesh. Është një ambient fantastik pasi ndihesh si në shtëpi, ndihesh i sigurt për të dhënë gjithçka në fushën e lojës.

Tifozët e kësaj skuadre janë të kënaqur sepse kanë në organikën e tyre një sulmues ndryshe nga të tjerët. Ju i keni mahnitur të gjithë për shpejtësinë që keni në këmbë.

Po është e vërtetë. Që fëmijë kam qenë më i shpejt sesa të tjerët. Shpejtësia është një nga armët e mia më të forta. Shumë njerëz nuk e besojnë sepse jam pak i gjatë dhe këmbët mund të më pengojnë të vrapoj, por jo. Me topin në këmbë mund të kaloj kundërshtarët dhe i surprizoj ata.

Ne dimë që ju nuk keni qenë shumë i gjatë në fëmijëri?

Po. Nuk kam qenë shumë i gjatë, por në moshën 15-16 vjeçare fillova që të rritesha dhe të zgjatesha shumë shpejt madje. Edhe nëna ime me babanë u surprizuan nga kjo gjë. Edhe te akademia e Chelseas u befasuan për këtë gjë.

Por ama shpejtësinë e ruajtët.

Për fatin tim. Pavarësisht se u zgjata, ia dola që të ruaja armën time më të fortë. Ishte shumë e lehtë që ta humbja, por punova shumë për të qenë i shpejtë. Babai më stërviste në parkingun e shtëpisë për të vrapuar dhe më thoshte gjithmonë se mbrojtësit nuk duhet të kapin. Ai më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt.

Kur ju kanë pyetur për idhullin në futboll ju keni thënë Kristiano Ronaldo. Si u ndjeve të ishe bashkë me të në një fushë?

Ishte çmenduri. Nuk duhet të mendoja shumë për të, sepse ishte kundërshtari im dhe unë duhet të fitoja. Pastaj pas ndeshjes e kupton se çfarë ka bërë ai për futbollin. Vetëm ai dhe Messi kanë qenë të një tjetër niveli.

E takuat pas ndeshjes?

Po. I dhashë dorën dhe ishte diçka shumë e bukur.

Cilat janë momentet më të bukura që do të veçonit deri tani në karrierë?

Sigurisht që momenti kur luajta ndeshjen e parë në Premier Ligë. I thashë vetes, është diçka e jashtëzakonshme. Shumë fëmijë e ëndërrojnë diçka të tillë.

Ndeshja e parë si titullar dhe goli i parë. Çfarë përjetove?

Siç e thashë më parë. Një sulmues ka nevojë për gola dhe unë arrita të fitoja besim të madh. Fakti që trajneri më dha besimin të luaja, sigurisht që më dha forcë për të qenë gati. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme për mua, për familjen time dhe për klubin. Aty kupton që puna e bërë po paguhet.

Keni bërë ndeshje të mira ndaj skuadrave të forta?

Kjo është ëndrra e çdo lojtari. Të luajë kundër Junajtid, Tottenhamit, Sitit dhe shumë skuadrave të tjera. Ne kemi luajtur mjaft mirë dhe tifozët na kanë mbështetur gjithmonë.

Ata po e shohin këtë intervistë tani dhe ndoshta janë të dëshpëruar për të ditur të ardhmen tuaj pas 6 muajsh. Çfarë do të ndodhë me Brojën?

Unë dua që t’i marr gjërat hap pas hapi dhe të mos shoh shumë për të ardhmen. Dua thjesht të luaj ndeshje, të stërvitem mirë dhe të punoj për të shkuar larg. Sauothemptoni më ka ndihmuar të rritem, të përmirësohem dhe të luaj futboll. Dua të fitoj sa më shumë ndeshje dhe pastaj të shohim se çfarë mund të ndodhë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme