Google ADS

Dëmtohet Milinkovic Savic, portieri shqiptar pret debutimin në Serie A

17:45 | 4 Mars 2022
Lorik Gerbeshi

Momenti i shumë pritur duket se erdhi për Etrit Berishën. Portieri i Kombëtares shqiptare pritet të bëjë debutimin e tij me Torinon këtë sezon në javën e 28-të të kampionatit italian.

Gardiani kuqezi do të jetë ai që do të mbrojë katërkëndëshin e Torinos përballë Bolognas për shkak se portieri i parë, Vanja Milinkovic Savic është dëmtuar nuk mund t’ia dalë të rikuperohet në kohë.

Portieri serb i cili ka qenë titullarë përgjatë gjithë sezonit, ka pësuar një lëndim në një prej gishtave të dorës së majtë ndërsa klubi torinez e konfirmon mungesën në sfidën e radhës.

Në këtë mënyrë Etrit Berisha është në balotazh me portierin Luka Xhemelo për një vend në formacion për sfidën e kësaj të diele në orën 15.

Berisha e ka patur edhe më përpara mundësinë për tu aktivizuar në Serie A, kur Milinkovic Savic u infektua nga Covid 19 por edhe portieri shqiptar në atë periudhë vuante nga një dëmtim, ndërkohë që përfitonte pikërisht portieri i tretë Xhemelo për të realizuar debutimin e madh.

Italiani u aktivizua në ndeshjen kundër Fiorentinës dhe shkëlqeu ndërsa arriti të mbajë portën të paprekur në fitoren 4-0 të Torinos. Ndaj nuk do të jetë aspak i lehtë balotazhi i Etrit Berishës, që ka mundur të tregojë veten vetëm në Kupën e Italisë.

Trajneri Ivan Juric gjithësesi do të marrë një vendim vetëm në momentet e fundit përpara takimit kundër Bolognas.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme