Google ADS

Pritet përshpejtimi i punimeve për rrugën Prizren- Tetovë

15:36 | 4 Mars 2022
arbresh.info

Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe hapat e mëtejmë për shtimin e bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryeministri Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet ndërshtetërore miqësore.

Kryeparlamentari Xhaferi shprehu mbështetjen e pa rezervë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për synimet e Republikës së Kosovës, dhe për të gjitha nismat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai tha se pikëpamjet dhe pikësynimet e të dy vendeve janë të përbashkëta.

Duke biseduar për kontekstin aktual politik dhe gjeopolitik të rënduar, pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, u theksua interesimi për të koordinuar politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik të të dyja vendeve dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë.

Kryeministri Kurti theksoi se është tejet e vlefshme që qëndrimet e të dy shteteve të forcohen me bashkëpunim të ndërsjellë. Ai tha se duhet të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi.

Ndërsa, Xhaferi tha se beson që këto zhvillime kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të përshpejtuar procedurat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë në këto procese.

Gjatë takimit u ngrit shqetësimi për militarizimin e Serbisë, dhe kërcënimin që paraqet kjo për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Kryeministri Kurti theksoi se këtë situatë e rëndon mohimi i njohjes së Kosovës nga Serbia, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999 si dhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Këtë pranverë në mbarë Kosovën përkujtohen përvjetorët e masakrave të kryera nga Serbia mbi popullatën civile, tha ai.

U bisedua për progresin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup. U bisedua edhe për rrugën Prizren- Tetovë dhe përshpejtimin e punimeve për të mundësuar ndërlidhjen infrastrukturore dhe për të lehtësuar komunikimin mes dy vendeve.

Në aspekt të raporteve ekonomike u fol për shkëmbimet tregtare dhe investimet ekonomike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme