Zgjedhjet lokale në Shqipëri/ Kreu i KQZ-së paralajmëron nëse ka tentativë për blerje të votave

15:03 | 4 Mars 2022
V. S.

Në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale në Shqipëri, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është shprehur sot se çdokush që do të tentojë të angazhohet në një proces të shitblerjes së votës apo dhe të ndikimit në një mënyrë tjetër mbi vullnetin e qytetarëve do të përballet me pasoja.

Në një konferencë për shtyp të shpërndarë nga zyra e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në Facebook, Celibashi ka sqaruar që tashmë ka kaluar akti normativ, i cili shtyn vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit për qytetarët e 6 bashkive që pritet të votojnë për kryebashkiakun e tyre të ri më 6 mars.“Kështu që edhe për këto zgjedhje, ata qytetarë të cilët kanë pasur një dokument identifikimi të skaduar, apo ju skadonte ky dokument identifikimi në datën 6 mars, qeveria nëpërmjet aktit normativ ka vendosur shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre dokumenteve. Kështu që do të jenë të lejuar të votojnë dhe në këtë pikëpamje, të paktën për këtë shkak nuk do të ketë ndonjë votues që do të pengohet për të votuar në datën 6 mars”, tha Celibashi.

Komisioneri u shpreh se “KQZ do të ketë vëmendje të shtuar në këto zgjedhje ndaj disa fenomeneve negative, të klasifikuara edhe si kriminale në zgjedhjet e shkuara. Çdokush që do të tentojë të angazhohet në një proces të shitblerjes së votës apo dhe të ndikimit në një mënyrë tjetër mbi vullnetin e qytetarëve do të ketë pasoja”.

“Nuk më vjen mirë në fakt ta sjell në vëmendje, por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve dhe atyre personave, të cilët KQZ i ka evidentuar si në shkelje të Kodit Zgjedhor, janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë”, nënvizoi Celibashi.

“Nëse dikush e ka guximin të ketë ballafaqim me organet e drejtësisë dhe të angazhohet në veprimtari të paligjshme që të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, mund ta bëjë”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Celibashi ftoi “ata qytetarë, media, OJQ apo edhe përfaqësues të partive politike, që në çdo rast që do të evidentojnë shkelje, t’i denoncojnë në organet e ndjekjes penale”, tha Celibashi.

Ai ka shtuar se KQZ është në fazën përmbyllëse të përgatitjes së zgjedhjeve, duke shtuar se është shpërndarë bazën materiale thuajse në të gjitha qendrat e votimit, me përjashtim të një qendre në Shkodër.

“Edhe në këto zgjedhje do të zhvillohet identifikimi elektronik i votuesve dhe në zonën zgjedhore të bashkisë Vorë do të zhvillohet votimi elektronik”, ka shtuar Celibashi.

Shqipëria pritet të mbaj zgjedhje të pjesshme lokale në 6 bashki të vendit – Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë.

Forcat kryesore që marrin pjesë në zgjedhje përmes kandidatëve të tyre janë Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe koalicioni “Shtëpia e Lirisë” i përbërë nga grupimi i Sali Berishës, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme