Klitschko: Rusia po na bombardon afër termocentralit bërthamor, bota mund të përballet me një tjetër Chernobyl

12:08 | 4 Mars 2022
Fjolla Bajraktari

Wladimir Klitschko ka paralajmëruar se Ukraina po shkon drejt një katastrofe pas sulmeve të pandalshme ruse.

Ish-kampioni i botës në boks thotë se ushtria ruse po bombardon shumë afër termocentraleve bërthamore të Ukrainës, shkruan “Gazeta Express”.

Ai kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të intervenojë që të ndalet sa më shpejt lufta, pasi frikësohet se mund të ndodh një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, ku nuk do të pësonte vetëm Ukraina.

“Nëse kjo luftë nuk ndalet menjëherë, bota do të përballet me një tjetër Chernobyl/Fukushima të kombinuar. Ukraina i ka 4  termocentrale bërthamore dhe ushtria ruse po gjuan raketa dhe po bombardon afër tyre. Mos shiko larg, ndale pushtimin rus tani”, ka shkruar Klitschko në llogarinë e tij në “Twitter”.

Ai iu bashkua ushtrisë ukrainase së bashku me vëllain e tij, Vitali Klitschko, një tjetër ish-kampion i botës në boksin profesionist.

Të dy janë mjaft aktivë në rrjetet sociale dhe janë bërë simbole të Ukrainës.

Por, ata janë vetëm dy prej shumë sportistëve apo ish-sportistëve të njohur ukrainas që i janë bashkuar ushtrisë për ta luftuar agresorin rus.

Mijëra njerëz janë vrarë, përfshirë këtu ushtarë nga të dyja anët dhe civilë ukrainas, ndërsa qindra mijëra njerëz janë larguar nga vendi duke përfunduar si refugjatë në shtetet fqinje.

Të vrarë ka edhe sportistë, të cilët e mbrojtën atdheun deri në frymën e fundit.

Lufta në Ukrainë ka hyrë tashmë në javën e dytë të saj. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme