Kurti takon Shefin e BE-së në Kosovë, flasin për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit

19:15 | 3 Mars 2022
L G

Në takimin e sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, ambasadorit Tomáš Szunyog, u diskutua për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për reformën në drejtësi, dhe se vetingun në sistemin e drejtësisë e sheh si procesin më të përshtatshëm që e mundëson atë.

Ai tha se Kosova duhet të mësojë nga përvoja e Shqipërisë dhe ta vë atë në shërbim të një vetingu të suksesshëm, shkruan arbresh.info.

“Ne duam që procesin e vetingut ta bëjmë së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa theksoi rëndësinë e partneritetit me Bashkimin Evropian, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë. Më tej kryeministri tha se angazhimin e Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet ta komplementojmë me prokurorë dhe gjykatës efektiv, të cilëve nuk u mungon as integriteti e as kompetenca”, tha Kurti.

Në anën tjetër ambasadori Szunyog tha se sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Ai tha se pajtohet për nevojën për një sistem të drejtësisë që është efikas dhe i paanshëm.

Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi pozitivisht prioritizimin e agjendës legjislative në fushën e anti-korrupsionit, sikurse edhe gatishmërinë e institucioneve për të bashkëpunuar me Komisionin e Venecias, sikurse në rastin e projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procesin e vetingut, dhe tash së fundmi projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme./arbresh.info/

 

Të ngjashme