Google ADS

Osmani: Nuk jemi kundër popullit rus, por kundër politikave agresive të qeverisë së tyre

14:45 | 3 Mars 2022
A. B.

Në vend në mëngjesin e sotëm ka hyrë familja me foshnjën e porsalindur, ka edhe shtatë qytetarë të cilët janë në evakuim aktiv nga Ukraina, po mobilizohemi, do të dërgojmë edhe furgonë transportues. Numri i fundit është 77 shtetas tonë, me ta ka edhe anëtarë të familjeve të cilët janë ukrainas, për të cilët kemi marrë obligim për evakuim. Rrethanat bëhen gjithnjë më të vështira, thotë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Në deklaratën për TV 24, Osmani tha se i ka dhënë propozim Qeverisë për pranimin e refugjatëve, dhe lirim nga obligimi për teste PCR dhe se janë paraparë të gjitha hapat që të ketë pranim pa pengesë të refugjatëve nga Ukraina.

Shton se tendenca e refugjatëve është që të lëvizin në drejtim të Polonisë dhe Rumanisë, në Greqi dhe Kroaci tashmë kanë mbërritur refugjatë, ndërsa te ne ende nuk ka.

Për mbështetjen që ia japim Ukrainës, tha se Maqedonia e Veriut qëndron në mbështetjen e të drejtës dhe parimeve ndërkombëtare në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve.

“Ne jemi anëtare e NATO-s dhe kjo ndryshon gjithçka. Ky është një dallim thelbësor cilësor. Për herë të parë ndjejmë si është të jesh pjesë e Aleancës. U bëjmë thirrje qytetarëve që më herët të largohen nga Ukraina sepse kemi informacione, NATO-ja garanton siguri. Sulm mbi territorin do të jetë një sulm mbi të gjitha 29 anëtaret. Anëtarësimi në NATO sjell edhe detyrim. Kemi obligim ta mbrojmë territorin e NATO-s”, theksoi Osmani.

Thotë se askush nuk është kundër popullit rus, por kundër politikës agresive të qeverisë së tyre.

“Nuk ka popull i cili kryen agresion, kjo zakonisht është një qeveri e cila i jep fund popullit të saj, duhet të kemi qëndrim të qartë rreth qeverisë ruse. Me mbështetjen e Ukrainës e mbështesim shtetin tonë, e drejta e çdo shteti vetë t’i zgjedhë prioritetet”, thotë Osmani.

Shefi i diplomacisë konsideron se tallja e përfaqësuesve dhe institucioneve shtetërorë gjatë agresionit rus në Ukrainë është një lloj kërcënimi hibrid.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme