AmCham: Shqipëria me potencial për energjisë e gjelbër, por çalon në tërheqjen e investimeve

11:27 | 3 Mars 2022
A. B.

Kreu i Dhomë Amerikanë të Tregtisë, Enio Jaço është shprehur se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të rrisë prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme, por i mungojnë kushtet e favorshme që i hapin rrugën investimeve.

Sipas një postimi në rrjetet sociale, Jaço ka thënë se pas luftës në Ukrainë, Europa ka hyrë në një realitet të ri mbi kërkesën për energji.

“A mund ta shfrytëzojë Shqipëria këtë moment për zhvillimin e energjisë gjelbër?”, ka shtuar ai.

Jaço mendon se pavarësisht avantazheve natyrore dhe kushteve klimatike për energjinë e gjelbër, Shqipërisë i mungojnë kushtet e favorshme që i hapin rrugën investimeve.

“Shqipërisë i mungon ajo që Europa ka: kushtet e favorshme që i hapin rrugën investimeve – strategji zhvillimi, mekanizma financimi dhe prokurime transparente”, thekson Jaço.

Sipas kreut të AmCham, sistemet e paneleve diellore dhe turbinat e erës kanë kosto tashmë të pranueshme dhe përfitime të mëdha.

“Ato do të ishin një mundësi zhvillimi duke nisur nga prodhuesit e vegjël tek investimet e mëdha, me përfitime afatgjata për gjithë ekonominë”, ka shtuar Jaço.

Jaco ka bërë të ditur se aktualisht Shqipëria prodhon energji kryesisht përmes burimeve ujore, në një treg ende të parregulluar apo të stabilizuar të energjisë.

“Institucione ndërkombëtare si BERZH, Banka Botërore dhe BE, janë gati të ndihmojnë në ndërtimin e strukturave për zhvillimin e energjisë së gjelbër. Zhvillimi do difersifikonte burimet e energjisë, moderonte çmimet për konsumatorin dhe rriste mundësitë për bizneset shqiptare.
Pse të mos kthehet në realitet?”, ka theksuar Jaço.

Ai thotë se burimet janë të shumta, por kapacitetet të pakta.

“Por kombinimi i dy mënyrave të tjera të prodhimit të energjisë, asaj diellore dhe erës, nëse do të zhvillohej dhe menaxhohej siç duhet, do krijonte kushtet e rregullimit dhe zhvillimit të tregut të brendshëm. Po ashtu do ofronte premisa të reja për furnizimin me energji drejt Evropës”, shprehet Jaço.

“Me tërheqjen nga importi të gazit rus, BE po konsideron fuqimisht diversifikimin e burimeve përmes investimit dhe rritjes së kapaciteteve të Energjisë së Rinovueshme apo të Gjelbër. Reagim të menjëhershëm ka Gjermania e cila tani synon të nxisë me shpejtësi rritjen e projekteve”, sipas kreut të AmCham.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme