Flasin KFOR-i dhe ekspertë| Dëshira dhe (pa)mundësia për anëtarësim të shpejtë në NATO

08:59 | 3 Mars 2022
arbresh.info

Anëtarësimi i Kosovë në NATO mbetet vetëm procedurë politike ndërkaq angazhimi i NATO-së në Kosovë mbetet i pa ndryshueshëm, raporton abresh.info.

Invazioni rus ndaj Ukrainës së fundi në Kosovë ka ngritur çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në NATO, madje së fundi pas rreshtimit të Kosovës në përkrahje të Ukrainës kanë lëvizur “gurët akoma edhe më shumë”, në të mirë të Kosovës.

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati në një prononcim për arbresh.info tha se është shumë e vështirë që NATO tu shmanget procedurave të veta pasi që njohja e 30 shteteve anëtare është parakushti kryesor që Kosova të anëtarësohet.

“Unë mendojë që është shumë e vështirë, mos të them e pamundur që NATO t’i shmanget procedurave të veta për arsye se procedurat janë që të gjitha shtetet duhet të kenë konsensus dhe gjitha parlamentet e shteteve që janë NATO. Gjithsej 30  prej tyre duhet të votojnë që pranojnë që Kosova të hyjë në NATO. Dhe unë mendoj që është një kërkesë dhe një dëshirë e jona e kamotshme dhe një kërkesë shumë reale mirëpo nuk është e mundur që Kosova të jetë pjesë e NATO-së në mënyrë jashtë procedurave të NATO-së”, tha Kastrati.

Në një përgjigjeje për arbresh.info, KFOR-i tha se angazhimi i NATO-së nuk ka ndryshuar për Kosovën.

“Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi të përkushtuar përmes Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO dhe të mandatarë nga OKB-ja, e cila kontribuon për një mjedis të sigurt dhe për një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Përveç KFOR-it, NATO – përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s – vazhdon të kryejë aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm sipas Kastratit, Kosova mund të nënshkruaj një marrëveshje me shtetet aleatët  për të kërkuar mbrojtjeje në raste të tilla.

“Ne mund të bëjmë kontrata me shtete veç e veç që nëse sulmohet Kosova ai shtet të jetë ndihmë apo ta përkrah Kosovën në mbrojtjeje të ndonjë agresioni por si shtet si Kosovë me hy në NATO unë mendoj që për momentin është e pamundur që ta bëjnë me një procedurë të shpejt”, tha Kastrati.

E nën anën tjetër sipas Kastrati anëtarësimi i Kosovës në NATO tani është vetëm çështje politike.

“Kosova dhe ushtria e saj i ka përmbush sipas mendimit tim të gjitha kriteret apo ka kapacitete për me hy në NATO, e vetmja procedurë është procedura politike sepse sa i përket procedurave ushtarake gjëra teknike janë rregulluar. Janë katër shtete të NATO-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ato duhet ta njohin Kosovën për tu anëtarësuar, është Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia”, deklaroi Kastrati.

Ndërkaq, KFOR-i të pyetur se cilat janë shanset që Kosova të anëtarësohet në NATO, në përgjigjen e tyre u tha se dera është e hapur për të gjitha shtetet që marrin përsipër detyrimet për sigurinë euro-atlantike.

“Dera e NATO-s mbetet e hapur për çdo vend evropian që është në gjendje të marrë përsipër angazhimet dhe detyrimet e anëtarësimit dhe të kontribuojë për sigurinë në zonën euro-atlantike. Që nga viti 1949, anëtarësimi në NATO është rritur nga 12 në 30 vende përmes tetë raundeve të zgjerimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por cilat janë procedurat që Kosova duhet t’i ndjek për t’u anëtarësuar, KFOR për arbresh.info tha se shtetet brenda traktatit me marrëveshje unanime mund të ftojnë çdo shtet evropian.

E nga 30 shtete sa janë Kosovën nuk e kanë njohur katër prej tyre.

“Palët, me marrëveshje unanime, mund të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për të aderuar në këtë Traktat. Çdo shtet i ftuar në këtë mënyrë mund të bëhet Palë e Traktatit duke depozituar instrumentin e tij të aderimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të informojë secilën nga Palët për depozitimin e çdo instrumenti të tillë aderimi”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Kujtojmë se thirrje për anëtarësim të Kosovës në NATO, ka bërë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit  i Serbisë, e cila refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas sulmit të kësaj të fundit në Ukrainë.

Ministri Armend Mehaj kërkoi edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja që të reagojnë ndaj deklaratave të Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Përkrahje për anëtarësim të Kosovës në NATO, së fundi, presidentja Vjosa Osmani mori nga homologu i saj turk, Regjep Recep Tayyip Erdoğan. /Sahide DEDUDSHI/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme