Google ADS

OKB: Mbi 874 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina

23:27 | 2 Mars 2022
Trina Galanxhi

Më shumë se 874 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje që kur Rusia filloi luftën kundër fqinjit të saj të enjten e kaluar, tha Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave në faqen e internetit të UNHCR-së, Polonia ka mirëpritur 453.982 njerëz nga Ukraina.

Polonia pasohet nga Hungaria dhe Moldavia, të cilat kanë pranuar përkatësisht 116.348 dhe 79.315 refugjatë.

Ndërkohë, Sllovakia dhe Rumania kanë hapur dyert për përkatësisht 67 mijë dhe 44.540 persona, ndërsa vendet e tjera evropiane kanë mirëpritur pothuajse 70 mijë të tjerë.

Rusia ka pranuar pothuajse 5 për qind të njerëzve që kanë ikur nga Ukraina, që korrespondon me 42.900 persona, dhe 341 të tjerë janë strehuar në Bjellorusi.

“Ndërsa situata vazhdon të jetë në zhvillim e sipër, rreth 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina në javët dhe muajt e ardhshëm. Për shkak të emergjencës dhe nevojave kryesore humanitare të refugjatëve nga Ukraina, po kryhet një reagim rajonal i refugjatëve midis agjencive, në mbështetje të përpjekjeve të vendeve pritëse të refugjatëve”, tha UNHCR.

Që kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës filloi më 24 shkurt, ajo është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian, Britania, Kanadaja, Japonia dhe SHBA-ja kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Moskës.

Të paktën 142 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe 408 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, janë plagosur në Ukrainë, sipas shifrave të OKB-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme