Situata në Bërnjak

13:19 | 2 Mars 2022
A Z

Lëvizja e veturave është e njëjtë dhe zyrtarët policorë e doganierët po kryejnë punën e tyre.

E tëra çka dallon nga ditët e muajt e tjerë, janë vendosja e kontejnerëve vetëm pak metra larg kufirit në Bërnjak, vend ky që ndan Kosovën me Serbinë.

Vendosja e kësaj baze policore, që për anën e Kosovës u tha se u vendos për arsye që policisë kufitarë t’ju krijohen kushte më të mira për punë, për palën serbë u pa si diçka tjetër.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këta kontejnerë dhe pajisjet logjistike do tu shërbejnë zyrtarëve policor në pikën kufitare në Bërnjak, për kryerjen sa më efikase të detyrave të tyre.

“Angazhimi ynë i përbashkët dhe i përditshëm ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, ka bërë të ditur ministri Sveçla.

Ishte e ashtuquajtura zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ajo që vendosjen e bazës së policisë kufitare në afërsi të kufirit me Serbinë e quajtën si provokim.

Nga Serbia u tha se ky veprim e shkel Marrëveshjen për Bashkëpunim Ushtarak e Teknik të nënshkruar në Kumanovë në mes të ushtrisë jugosllave dhe KFOR-it.

“Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë shkel Marrëveshjen për Bashkëpunim Ushtarak-Teknik nga Kumanova e nënshkruar në mes të Ushtrisë Jugosllave dhe KFOR-it, e cila përcakton se brezi prej një kilometër nga vija administrative trajtohet si zonë e gjelbër ku lejohet vetëm KFOR-i”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Ky vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme u morr pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë.

Vetëm pak ditë para 26 shkurtit, Policia e Kosovës kishte marr dhe një vendim tjetër.

Mbyllja e rrugëve ilegale në këtë pjesë u bë për arsye që të ndalet kontrabanda në veri, përmes një aksioni të gjerë policorë.

E Mitrovica si tërësi, dhe veriu në veçanti po shihet si pikë e nxehtë për të pasur një destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

Përderisa reagimet rreth kësaj baze vazhdojnë e debati verbal mes Kosovës e Serbisë po vazhdon,  janë zyrtarët policorë ata që po vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre për të cilën janë betuar në këtë pikë kufitare.

Lëvizja në këtë pjesë po vazhdon të jetë e njëjtë./V.Selimi/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme