Google ADS

Kufiri i papërcaktuar Kosovë-Serbi, dhe “rreziku” i krahasimit që bëri Putini

09:07 | 24 Shkurt 2022
S D

Mos përcaktimi i kufijve me Serbinë nuk po shihet të jetë rrezik për Kosovën pas rritjes së tensioneve Rusi-Ukrainë, raporton arbresh.info.

Njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë thonë se Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë ndërhyrje ushtarake e Serbisë, si shkak edhe i prezencës së trupave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Fadil Kajtazi njohësi i çështjeve për siguri në Kosovë, për arbresh.info tha se Kosova nuk ka ndonjë rrezik nga ndërhyrja ushtarake e Serbisë, pavarësisht rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë.

“Këtë konstalacion të gjeopolitikës globale, Kosova nuk ka ndonjë rrezik nga ndërhyrja ushtarake e Serbisë, pavarësisht rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë”, tha Kajtazi.

Sipas Kajtazit i vetmi rrezik për Kosovën mund të jetë lufta hibride, e që mund të vije pikërisht nga shërbimet inteligjente ruse për një destabilizim politik.

“Cenushmëria e sigurisë së Kosovës, por edhe e vendeve tjera me demokraci të brishtë, vije nga aktivitetet e luftës hibride. Këto aktivitete kapin një gamë të gjerë veprimesh të cilat synojnë destabilizimin politik, i cili është edhe synim strategjik i ‘politikës së kaosit’ të dizajnuar nga shërbimet inteligjente ruse”, tha Kajtazi.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve për siguri në Kosovë, Avni Islami për arbresh.info tha se një krahasim mes Kosovës dhe Ukrainës nuk mund të bëhet pasi që integriteti territorial i Kosovës garantohet me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe e ruan KFOR-i, që është pjesë e NATO-së.

“Nuk mund të bëhet krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës edhe për sa i përket përcaktimit kufijve për shkak se, Ukraina i ka të njohur ndërkombëtarisht kufijtë. Rusia ndërhyri në mënyrë flagrante në një shtet sovran me integritet dhe sovranitet të njohur ndërkombëtarisht me forcat e veta ushtarake. Tek ne në Kosovë sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial Kosova i ka kufijtë e vetë të njohur mbi 100 shtete ndërkombëtarisht e çka është më e rëndësishme e njohur nga vendet e perëndimit nga Aleanca Veri Atlantike”, deklaroi Islami.

Islami tutje tha se Putini dëshiron që të tërheq një paralele dhe të marr për mostër Kosovën.

E një gjë e tillë nuk mund sipas Islamit nuk mund të bëhet sepse në Kosovë është bërë gjenocid dhe spastrim etnik.

“Putin dëshiron që të tërheq paralele dhe dëshiron që ta marr si mostër Kosovën sepse dallimi është jashtëzakonisht i madh, pasi që në Kosovë bëhej një gjenocid i madh dhe spastrim etnik i një populli në vendin e vet, ndërsa Rusia ndërhyri drejtpërsëdrejti në një shtet sovran në shkëputjen e një pjese të territoreve. Në dy krahinat e Ukrainës pra një pjesë e popullit janë që e përkrahin qeverinë e Putinit dhe nga brenda e patën përkrahjen, në mënyrë që të ndërhynë ushtarakisht në dy krahinat të Ukrainës”, deklaroi Islami.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Partisë Social Demokratë (PSD), Dardan Molliqaj i cili ka shkruar në Facebook se konflikti në Ukrainë është shenjë se dinamikat gjeopolitke po ndryshojnë, dhe se ruajtja e status-quos në dialogun Kosovë-Serbi është gabim që do të hakmerret në të ardhmen.

“Konflikti në Ukrainë duhet të jetë këmbana e fundit për sjelljen e papërgjegjshme të politikës kosovare karshi dialogut. Nuk mjafton të themi se tash duhet të shpejtojmë drejt NATO-s. Reflektimi duhet të jetë më i thellë: marrëveshje përfundimtare që i zhduk shkaqet e luftës. Secila marrëveshje gjysmake që e ruan status-quon, do të na hakmerret në të ardhmen, siç po i ndodh Bosnjës sot. Për neve, kjo marrëveshje është vetëm ajo e ri përcaktimit të kufijve. Aty ka vetëvendosje e barazi midis popujve. Këto janë parakushte për mundësinë që rajoni ynë të dalë nga vorbullat e luftës. Kjo do të ishte marrëveshje për paqe të përhershme”, kishte shkruar ai.

Kujtojmë se Serbia ka deklaruar zyrtarisht neutralitet në ngërçin ruso-ukrainas, i cili kërcënon të shkaktojë një luftë të madhe në Evropë, por edhe pse Serbia zyrtarisht aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ajo ka refuzuar të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE dhe ka preferuar të forcojë lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

Në anën tjetër shumë vende perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë në përpjekje për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ditë më parë ka krahasuar gadishullin e Krimesë me Kosovën.

“Gjëja e parë që çdonjëri duhet të bëjë është të njohë vullnetin e njerëzve që jetojnë në Sevastopol dhe Krime. Kam folur shumë herë dhe do ta theksoj sërish: Pse është më keq kjo se ajo që ndodhi në Kosovë? Nuk është assesi. Vetëm se atje vendimi u mor nga parlamenti e këtu në një referendum kombëtar”, ka thënë Putin, raporton Sputnik. /S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme