Google ADS

Weber: Krahasimi rus i Kosovës me Krimenë – absolutisht i paqëndrueshëm

23:14 | 23 Shkurt 2022
L G

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.

“Gjëja e parë që duhet ta bëjnë të gjithë, është të pranojnë shprehjen e vullnetit nga njerëzit që jetojnë në Sevastopol dhe Krime. Pse është me keq kjo shprehje e vullnetit – dhe e kam thënë shumë herë – nga ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë? Nuk është. E vetmja gjë është se vendimi atje është marrë nga parlamenti, dhe këtu ishte një referendum popullor”, tha presidenti rus.

“Kishte një aparteid masiv të Serbisë, të regjimit të (Sllobodan) Millosheviçit në Kosovë në vitet e 90-ta dhe asgjë nuk është e krahasueshme. Nuk ka pasur asnjë formë të diskriminimit apo ndonjë fushatë kundër rusëve në Krime, e lërë më në Ukrainën Lindore dhe absolutisht është e pakrahasueshme”, tha zoti Weber.

Nuk është hera e parë që presidenti rus përmend Kosovën në kuadër të arsyetimit për veprimet e tij. Në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, vëzhguesit vunë re se ai përmendi Kosovën të paktën gjashtë herë gjatë fjalimit të tij.

Por, një aleate e vjetër e Serbisë, Rusia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar Rusia hodhi pretendimet se “mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë. Pretendimet e tilla u hodhën poshtë nga Shqipëria dhe Kosova.

Analisti Weber tha se kjo është pjesë e propagandës standarde ruse.

“Ky është një rrëfim i ri që nuk ka asnjë mbështetje ndërsa çështja e ekstremistëve serbë që ndodhen Krime dhe Ukrainën Lindore, nuk është përmendur nga zoti Putin. Është pjesë e propagandës”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë thanë se fushata ruse “ka për qëllim tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes Serbisë, satelitit rus në Ballkan”.

Shumica e udhëheqësve të Ballkanit dënuan vendimin e Rusisë për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore.

Qeveria e Kosovës natën e së martës u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, po ashtu u shprehën në mbështetje të Ukrainës, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka frikë nga një ndarje në shoqërinë serbe për shkak të Rusisë.

“Serbia është në rrugën e saj evropiane. Ajo e ka mbështetur gjithmonë integritetin e Ukrainës, por në anën tjetër, rreth 85 për qind e serbëve, çfarëdo që të ndodhë, do të jenë në anën e Rusisë”, tha presidenti serb.

Më pas ai tha se “do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës nga Rusia, nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.

Serbia akuzon NATO-n për “agresion” për shkak të bombardimeve të pranverës së vitit 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me Rusinë, dhe me Kinën, ndërsa ka refuzuar në të kaluarën t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se presin që të gjitha vendet që aspirojnë integrimin, të harmonizojnë politikat e tyre me vendimet e bllokut, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Një zëdhënës i departamentit amerikan të Shtetit, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara besojnë që Serbia do të qëndrojë përkrah Bashkimit Evropian në respektimin e të drejtës ndërkombëtare, për të ruajtur paqen, përparimin dhe qëndrueshmërinë gjithandej rajonit./VoA/

Të ngjashme