Google ADS

Vazhdon bllokimi i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni

15:16 | 23 Shkurt 2022
S D

Akoma asnjë lëvizje në drejtim të thirrjes së Komisionit për zgjedhje dhe emërime edhe tre ditë pas nismës së opozitës për të zhbllokuar zgjedhjen e gjykatësve Kushtetues. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi akoma nuk i është përgjigjur kërkesës së opozitës të cilët të hënën kërkuan mbledhjen urgjente të trupit punues.

Deputeti Fadil Zendeli, nënshkrues i nismës për mbledhjen e komisionit thotë se janë të gatshëm që sot të marrin pjesë në mbledhjen e trupit punues, por kjo nuk nënkupton se me çdo kusht do të ketë zgjidhje të problemit. Zendeli thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat partiak apo politik për të zënë vendet në gjykatën më të lartë të vendit.

“Personalisht nuk kam hipoteka. Jam i hapur të diskutojmë dhe debatojmë për të gjitha propozimet të cilat i plotësojnë kushtet profesione, njerëzore dhe ligjore. Kushte të cilat në institucionet të pavarura ligjore dhe kushtetuese duhet plotësuar me doemos nga një kandidat. Por nuk jam për zgjidhje dhe propozime nga kuluare të ngushta partiake të shumicës ose kujtdo tjetër”, deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Të njëjtin qëndrim Zendeli e ka edhe ndaj pikave të tjera të mbetura në komision, për të cilat personalisht konsideron se është e vështirë të arrihet konsensus për shterimin e tyre.

“Vetë detyra e këtij komisioni dhe i vetë Kuvendit është që kalimi i gjithë atyre funksionarëve përmes këtij trupi punues duhet të jenë të pavarur. Ata që janë politik janë të Qeverisë”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Komisioni për zgjedhje dhe emërime mbeti pa kryetar nga tetori i vitit 2021 pasi kreu i tij Kostadin Kostadinov u zgjodh kryetar i Komunës së Strumicës. Përveç anëtarëve të Gjykatës Kushtetuesve, në rend dite kanë mbetur të bllokuar edhe këshilli i çmimit vjetor “8 shtatori”, këshilli i RTVM-së, këshilli i Agjencisë së Mediave dhe disa delegacione të parapara të cilët i takojnë opozitës. /Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme