Hoxhaj: Fjalimi i Putinit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i barabartë me fjalimin e Millosheviqit në Fushë Kosovë

09:57 | 23 Shkurt 2022
A. B.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka qenë i zëshëm ditët e fundit pas ngjarjeve dramatike në Ukrainë nga Rusia dhe Putini. Në një deklaratë të mbrëmshme ai ka krahasuar fjalimin e Putinit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me atë të Millosheviqit në Fushë Kosovë më 89-ën dhe me të Hitlerit më 38-ën.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se fjalimi i Putini dje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ishte i barabartë me fjalimin e famshëm të Millosheviqit në Fushë Kosovë më 1989, apo me qasjen e Hitlerit në Çekosllovaki.

Ai, tutje ka thënë se është me rëndësi se çfarë mendimi krijon Kosova për këtë situatë.

“Situata e ka një dimension të brendshëm që ne duhet ta kuptojmë në thelb, si dështim i elitës brenda, por si dështim edhe i BE-së për ta afru Ukrainën, tani e ka një dimension gjeopolitik kryekëput në pikëpamjen time, pushtues. Por, që ta kuptojnë qytetarët, ajo se çka tha Putini dje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për mua ishte e barabartë me fjalimin e famshëm të Millosheviqit në Fushë Kosovë më 1989, apo me qasjen e Hitlerit në Çekosllovaki, sepse edhe Hitleri i ka pas në Çekosllovaki do gjermanë që i ka pasur si pretekst që ta pushtojë Çekosllovakinë më 1938. Për atë, janë ditë të vështira, të rënda për Evropën dhe është me rëndësi se çfarë mendimi krijojmë ne në Kosovë për situatën që po hyjmë dhe unë mendoj që tash e tutje duhet ta kemi një kornizë politike e cila e vlerëson e rivlerëson atë që po ndodhë sot në Ukrainë”, ka thënë Hoxhaj në Kanal10.

Kujtojmë se dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i vendosë sanksione Rusisë, dhe të solidarizohet me Ukrainën.

Kurse gjatë mbrëmjes së djeshme, Qeveria e Kosovës ka vendosur flamurin e Ukrainës në ndërtesën e saj si shenjë solidarizimi. /arbresh.info/

Të ngjashme