Haziri kritikon Qeverinë Kurti: Kjo Qeveri e ka filluar me hezitime qasjen ndaj dialogut me Serbinë

23:46 | 22 Shkurt 2022
L G

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri thotë se Qeveria Kurti e ka filluar me hezitime qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

Sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën e pritjes së zgjedhjeve në Serbi për aktivizimin e dialogut të brendshëm, të partive parlamentare dhe jashtë parlamentare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në mënyrë që Kosova të përgatitet sa më mirë.

Haziri përmes një postimi në Facebook, shkruan se Kosova është në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe sipas tij, rreziku më i madh është mospërfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut.

“Jemi në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe rreziku më i madh është që mos përfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut, sepse frika më e madhe është nga krizat rajonale dhe ato mund të kenë impakt shumë të madh në ngadalësim dhe ngulfatje të këtij procesi, i cili për ne është jetik, për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane”, shkroi Haziri.

Ai tha se shumicë parlamentare e ka mbështetjen e opozitës sa i përket çështjes së dialogut, por sipas tij, kjo mbështetje nuk është pafund.

“Nuk mund të themi që e mbështesim hezitimin e mos besimin e tyre. Ne e mbështesim lidershipin e Qeverisë që të jetë këmbëngulëse, e qëndrueshme, kreative dhe të mos e kushtëzojë procesin e dialogut me çështje të cilat janë sekondare”.

Haziri tha se duhet të merret seriozisht letra e presidentit amerikan Joe Biden./arbresh.info/

Reagimi i plotë

Të ngjashme