Lëvizja FOL, me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka publikuar sot raportin “Shkarkimi i paligjshëm i të punësuarve në sektorin publik – pasojat në buxhetin e shtetit”, ku ka trajtuar në përgjithësi problematikën e largimeve të paligjshme nga marrëdhënia e punës në sektorin publik, si dhe koston e buxhetit të shtetit si pasojë e këtyre largimeve.
Qëllimi kryesor i raportit është tërheqja e vëmendjes së institucioneve përgjegjëse për impaktin dhe pasojat në buxhetin e shtetit me rastin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të të punësuarve në sektorin publik, kur të njëjtat bëhen duke mos i respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, tha se në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës gjatë vitit 2019 dhe periudhës janar– tetor 2021 janë parashtruar gjithsej 128 ankesa nga shërbyesit civil ndaj vendimeve për ndërprerje të marrëdhënieve të punës së institucioneve shtetërore. 69 prej këtyre ankesave ishin parashtruar ndaj vendimeve të administratës qendrore (përkatësisht 54 %), ndërsa pjesa tjetër prej 54 ankesash, (apo 46 % ) ndaj vendimeve të administratës lokale.
“Sa i përket vendimeve të Këshillit, duhet të theksohet se prej datës 21 janar 2019 deri në tetor të vitit 2020, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka qenë jofunksional, andaj gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë e mundur marrja e ndonjë vendimi në lidhje me kërkesat e parashtruara. Mosfunksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për gati dy vite ka shkaktuar vështirësi në mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civil të Kosovës, për shkak të pamundësisë së marrjes së vendimeve në njërën anë, dhe grumbullimit të numrit të madh të lëndëve, në anën tjetër”, tha Hasani.
Sipas Hasanit, nga tetori i vitit 2020 deri në tetor te vitit 2021, Këshilli ka vendosur për 40 ankesa për ndërprerje të marrëdhënies së punës, prej të cilave 11 janë aprovuar, 3 janë hedhur poshtë, 22 janë refuzuar, 3 janë shpallur jo kompetente dhe 1 është kthyer në rishqyrtim.
Hasani ka theksuar se gjatë periudhës janar – tetor 2021, nga Gjykatat e Republikës së Kosovës janë sjellë gjithsej 178 vendime për konteste pune, në rastet ku palë ishin institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore. Nga të gjitha këto konteste, 109 konteste janë humbur nga institucionet shtetërore, 44 konteste janë fituar, 9 janë aprovuar pjesërisht, 5 janë kthyer në rigjykim, 3 në rivendosje dhe për 1 rast padia është hedhur për shkak të jo kompetencës.
Sa i përket kostos se këtyre vendimeve, sipas Hasanit, shuma e humbur nga buxheti i shtetit në lidhje me vendimet gjyqësore për ndërprerje të marrëdhënies së punës të sjella gjatë periudhës janar – tetor 2021 ne institucione publike, tejkalonte shumën 300 mijë euro.
“Pra, kjo nënkupton se më shumë se 300 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës shkarkimet e paligjshme nga puna në institucionet publike, si dhe vendimet e tjera në lidhje me punën në këto institucione”, ka përfunduar Hasani.
Në fund, në lidhje me të gjeturat e këtij raporti, Lëvizja FOL ka dhënë këto rekomandime:
Ndërprerja e marrëdhënies së punës së të punësuarve nga ana e punëdhënësve duhet të bëhet kryekëput konform dispozitave të Ligjit të Punës së Kosovës dhe të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të krijojë një databazë elektronike në të cilën do të regjistrohen të gjitha rastet e shkarkimeve, largimeve vullnetare të punëtorëve dhe kontesteve nga shërbimi civil në institucionet e administrates qendrore dhe lokale.
Rrjedhimisht, të detyrohen të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe organet tjera, të raportojnë të dhënat në databazën elektronike të ketij institucioni, në rastet e tilla, më së voni 1 muaj nga dita e shkarkimit, largimit, apo fillimit të kontestit.
Gjykatat e Republikës së Kosovës t’i respektojnë afatet ligjore të trajtimit të lëndëve nga kontestet e punës si dhe rastet nga marrëdhëniet e punës t`i trajtojnë me prioritet.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike të ndërmarrë hapa konkret me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit të institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve.
Të rritet funksioni mbikëqyrës/monitorues i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës ndaj institucioneve të administratës publike, lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Rrjedhimisht, raportet në lidhje me të gjeturat e monitorimit të publikohen rregullisht në ueb-faqen e KPMShC-së./arbresh.info/
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...