SHBA do të ndalojë investimet dhe tregtinë në rajonet e shkëputura të Ukrainës

01:42 | 22 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që ndalon investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga ose në rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, pasi Rusia i njohu zyrtarisht ato si shtete të pavarura, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se SHBA-ka parashikoi “një veprim si ky” nga Moska dhe u zotua se do t’i përgjigjet menjëherë njoftimit të sotëm nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Presidenti Biden së shpejt do të nxjerrë një ‘Urdhër Ekzekutiv’ që do të ndalojë investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga personat amerikan nga ose në të ashtuquajturat rajone DNR dhe LNR të Ukrainës”, tha Psaki, duke iu referuar të vetëshpallurave “Republika Popullore e Donetskut” dhe “Republika Popullore e Luhanskut”.

Ajo tha se urdhri ekzekutiv po ashtu do të sigurojë autoritetet për të imponuar sanksione ndaj çdo personi të vendosur për të operuar në ato zona të Ukrainës, të cilat shtrihen përgjatë kufirit të vendit me Rusinë.

“Departamentet e Shtetit dhe Thesarit do të kenë detaje shtesë së shpejti. Ne po ashtu së shpejti do të shpallim masa shtesë në lidhje me shkeljen e hapur të sotme të angazhimeve ndërkombëtare të Rusisë”, tha Psaki.

Më herët, zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian (BE) kanë dënuar njohjen nga Rusia të rajoneve separatiste Luhansk dhe Donetsk, duke e quajtur këtë lëvizje një “shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”.

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënuan “në termat më të fortë të mundshëm vendimin e presidentit rus për njohjen e zonave të kontrolluara joqeveritare Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura”.

Tensionet në rritje

Sonte, presidenti Putin njohu zyrtarisht rajonet Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura dhe nënshkroi marrëveshjet përkatëse me liderët e rebelëve në Kremlin. Ai po ashtu tha se do t’i kërkojë parlamentit rus “të njohë menjëherë” marrëveshjet e nënshkruara.

Presidenti rus kritikoi qeverinë e Ukrainës, SHBA-në dhe Perëndimin për injorimin e shqetësimeve thelbësore të sigurisë së Moskës. Ai po ashtu i bëri thirrje Ukrainës “të ndalojë armiqësitë në rajonin Donbas”, duke theksuar se në rastin tjetër “përgjegjësia për atë që ndodhë” do të mbetet mbi autoritetet ukrainase.

Së bashku me ngritjen ushtarake të Rusisë, së fundmi tensionet janë rritur në mënyrë dramatike në Ukrainën lindore, me raporte për një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, incidenteve të shumta të bombardimeve dhe evakuimit të civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse në Donetsk dhe Luhansk.

SHBA me aleatët e saj evropianë kanë theksuar se Rusia po përgatit skenën për të pushtuar Ukrainën pasi ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj.

Rusia ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste n Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë shtatë viteve të fundit. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), konflikti ka marrë mbi 13 jetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme