SHBA vjen me një “alarm të ri” rreth pushtimit të Ukrainës nga Rusia

00:05 | 21 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Sekretari amerikan i shtetit ka thënë se vazhdimi i stërvitjeve ushtarake ruse në Bjellorusi e ka bërë atë më të shqetësuar për një pushtim të afërt të Ukrainës.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Antony Blinken tha se vendimi i Moskës për të mbajtur rreth 30,000 trupa në Bjellorusi, pranë Ukrainës, mes tensioneve të ngritura në Ukrainën lindore, sugjeron këtë.

Paralajmërimi i tij erdhi pasi burime të paidentifikuara të inteligjencës amerikane thanë se komandantët rusë janë urdhëruar të pushtojnë Ukrainën.

Por Ukraina tha se raportet për një pushtim të afërt rus ishin “jo të duhura”.

Ministri i Mbrojtjes, Alexei Reznikov tha se një sulm “nesër ose pasnesër” nuk ka gjasa pasi asnjë “grup sulmi” rus nuk ishte krijuar ende pranë kufirit.

Veç tij, edhe Rusia ka mohuar se planifikon të pushtojë fqinjin e saj.

Një deklaratë bjelloruse fajësoi “përkeqësimin e situatës” në Ukrainën lindore si një arsye për zgjatjen e stërvitjeve në Bjellorusi që do të përfundonin të dielën.

Përndryshe, shpërthimet kanë vazhduar në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës këtë fundjavë, mes përleshjeve të shtuara midis forcave të qeverisë ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia.

Ndërkohë Blinken tha se tensionet në Ukrainën lindore, si dhe stërvitjet e zgjatura dhe grumbullimi i trupave ruse, treguan se Rusia ishte gati të pushtonte.

“Gjithçka që po shohim sugjeron se kjo është shumë serioze, se ne jemi në prag të një pushtimi”, tha ai për CNN.

Mes tensioneve në rritje, Moska tha se një telefonatë dy-orëshe midis Vladimir Putinit dhe presidentit francez Emmanuel Macron përfundoi në një marrëveshje mbi nevojën për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainën lindore. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme