Zelensky: Ukraina nuk do t’i përgjigjet provokimeve

23:23 | 19 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Presidenti i Ukrainës ka thënë se kombi i tij nuk do t’i përgjigjet provokimeve në mes të një përshkallëzimi të situtës në territoret lindore të mbështetura nga rebelët rusë.

Megjithatë, Volodymyr Zelensky ka deklaruar para liderëve botërorë se Ukraina do të mbrohet nga agresioni rus, transmeton portal arbresh.info

Dy ushtarë ukrainas janë vrarë në ditën e tretë të përleshjeve mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve.

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se është i bindur se Rusia do të pushtojë Ukrainën, por Moska e mohon këtë.

Vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet të organizojë një krizë të rreme në rajonet lindore si një pretekst për të pushtuar.

Në konferencën e sigurisë në Mynis, Zelensky tha se ukrainasit “nuk janë në panic, ne duam të jetojmë jetën tonë”.

Ai akuzoi liderët perëndimorë për “një politikë qetësimi” ndaj Moskës dhe kërkoi që Ukrainës t’i jepen garanci të reja sigurie.

Zelensky kishte udhëtuar për në Mynih pavarësisht se ishte paralajmëruar nga zyrtarët amerikanë se ishte e pasigurt të largohej nga vendi i tij.

Komentet e tij kanë ardhur në kohën kur vëzhguesit kanë raportuar një rritje dramatike të sulmeve përgjatë vijës së frontit që nga forcat rebele dhe qeveritare në Ukrainën linore. Vëzhguesit thanë se kishte më shumë se 1,400 shpërthime në rajonet e shkëputura Donetsk dhe Luhansk vetëm të shtunën.

Mediat ruse publikuan të shtunën një sërë raportesh të paverifikuara për sulme ose tentativa për sulme brenda territorit të kontrolluar nga separatistët.

Ndërsa raportet për bombardimet vazhdonin, Gjermania dhe Franca u bënë vendet e fundit perëndimore që u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina. Avioni gjerman Lufthansa ka pezulluar fluturimet drejt Ukrainës për një javë nga e hëna.

Ndërsa liderët perëndimorë u takuan në Mynih, Rusia po bënte një demonstrim tjetër të aftësive të saj ushtarake, duke testuar armët bërthamore.

Ukraina, një ish-republikë sovjetike me lidhje historike me Rusinë, nuk është anëtare e NATO-s apo e Bashkimit Evropian, por ka marrëdhënie të ngushta me të dyja./bbc/arbresh.info/

Të ngjashme