Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel në një intervistë ekskluzive për Front Online ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave, dialogun dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, qeverisjen aktuale, dhe problemet me të cilat po përballen qytetarët.
Diplomatja franceze thotë se vendimi përfundimtar për vizat me qëndrim të shkurtër, më pak se 3 muaj, është i natyrës politike ngase ka të bëjë me kushtet e hyrjes në zonën Shengen.
“Vendimi përfundimtar për vizat me qëndrim të shkurtër (më pak se 3 muaj) është i natyrës politike, sepse ka të bëjë me kushtet e hyrjes në zonën Shengen. Ju rikujtoj në këtë drejtim se rregulloret për qëndrimet afatgjata të shtetasve jashtë BE-së (më shumë se tre muaj duke përfshirë vizat e punës) janë një kompetencë kombëtare e shteteve anëtare”, thotë ajo në një intervistë.
E kjo çështje, sipas ambasadores Butel, do të vendoset në rendin e ditës të një mbledhje të Këshillit nga shteti që udhëheq Presidencën e BE-së, vetëm nëse sigurohet shumica në favor të liberalizimit.
Ajo thotë se në këtë fazë, ende ka shtete anëtare që kanë rezerva sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ajo thotë se gjatë kësaj periudhe është shënuar progres në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe përparimi në këto fusha po vazhdon, e këtë e kanë vlerësuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti evropian.
Ambasadorja Butel konsideron se Kosova të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit, por edhe të vë në pah progresin e bërë, veçanërisht në fushat që mund të ndikojnë në sigurinë ndërkufitare.
“Çështja e liberalizimit të vizave do të vendoset në rendin e ditës të një mbledhje të Këshillit nga shteti që udhëheq Presidencën, vetëm nëse sigurohet shumica në favor të liberalizimit. Megjithatë, në këtë fazë, disa shtete anëtare kanë ende rezerva. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit, por edhe të vë në pah progresin e bërë, veçanërisht në fushat që mund të ndikojnë në sigurinë ndërkufitare (lufta kundër migrimit të paligjshëm, mashtrimi me dokumente, trafikimi i armëve dhe narkotikëve, etj”, thotë ajo.
Ambasadorja franceze: Dialogu Kosovë-Serbi s’ka alternativë, mundësia është në dy vjetët e ardhshme
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në intervistën për Front Online, ka folur edhe lidhur me dialogun Kosovë –Serbi duke përçuar kështu qëndrimin e shtetit të saj për arritjen e një marrëveshje finale.
Ajo thotë se dialogu nuk ka alternativë dhe se mundësia për të arritur një marrëveshje ndërmjet këtyre dy shteteve do të mbetet pas zgjedhjeve në Serbi, që pritet të mbahen në prill.
“Nuk ka alternativë për Dialogun. Është një çështje sigurie për Kosovën, për Serbinë, për rajonin dhe për Evropën në tërësi. Status quo-ja nuk mund të jetë asnjëherë një opsion. Serbisë dhe Kosovës i takon të vendosin si për përmbajtjen e negociatave ashtu edhe për kalendarin e tyre. Pas zgjedhjeve në Serbi në prillin e ardhshëm, do të ketë një dritare mundësie për këtë prej rreth dy vitesh para zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, dhe zgjedhjeve në Kosovë në vitin 2025. Kur të shfaqet një mundësi e tillë, duhet ta shfrytëzoni dhe të bëni gjithçka për të arritur një rezultat”, tha ajo.
Diplomatja franceze thotë se domosdoshmërish duhet të ketë kompromise nga të dyja shtetet në mënyrë që të gjitha palët të arrijnë një rezultat të pranueshëm.
“Negocimi për të arritur një rezultat të pranueshëm për të gjitha palët përfshin domosdoshmërish kompromise nga të dyja palët”, ka thënë ajo.
Ambasadorja Butel: S’ka perspektivë evropiane pa u zgjidhur mosmarrëveshja me Serbinë
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel në një intervistë për Front Online ka dhënë edhe mesazhe për qeverisjen aktuale në vend.
Ajo thotë se nuk mund të ndërtohet asgjë e qëndrueshme, e s’mund të ketë as prosperitet ekonomik e as perspektivë evropiane derisa nuk zgjidhet mosmarrëveshja që ka Kosovë me Serbinë.
Ajo thotë se arritja e një marrëveshje ndërmjet këtyre dyja vendeve është thelbësore.
“Por, mbi të gjitha nuk mund të ndërtohet asgjë e qëndrueshme, nuk mund të ketë prosperitet ekonomik, as perspektivë evropiane derisa të mos zgjidhet mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është thelbësore që më ne fund të arrihet progres në dialogun mes dy vendeve”, tha ajo.
Ambasadorja franceze: Me këtë qeverisje, Kosova ka stabilitet politik që i ka munguar
Ambasadorja Butel në këtë intervistë për Front Online ka thënë se Kosova tani mund të përfitojë nga stabilitetit politik i cili i ka munguar vjetëve të fundit.
Ajo këtë qeverisje e sheh si mundësi që përmes saj të realizohen reformat që i duhen Kosovës.
Duke folur për qeverisjen “Kurti”, ajo ka përmendur zgjedhjet demokratike që mbajti Kosova që rezultuan me një qeveri me shumicë solide.
“Një vit më parë, pas zgjedhjeve, mënyrën demokratike dhe organizimin e mirë të të cilave e kanë theksuar të gjithë vëzhguesit, u formua një qeveri me shumicë solide. Kosova tani mund të përfitojë nga stabiliteti politik që i ka munguar vitet e fundit. Kjo është një mundësi që qeveria të mund të realizojë reformat që i duhen Kosovës”, tha ajo për Front Online.
Ambasadorja Butel: Kosova të miratojë strategji afatgjate energjetike
E, duke folur për krizën energjetike që ka përfshirë edhe Kosovës, ambasadorja franceze në Kosovë, Marie-Christine Butel, tha se pandemia me Covid-19 ka prekur rëndë ekonominë dhe kjo shpie edhe në çrregullim të furnizimit dhe rrjedhimisht në mungesa dhe rritje të çmimit të lëndëve të para, duke filluar nga energjia.
“Është një fenomen mbarë botëror. Është e kuptueshme që në këto kushte, marrja e vendimeve është e vështirë si për qeveritë ashtu edhe për kompanitë. Rasti i energjisë, qoftë nafta, gazi apo energjia elektrike, është më karakteristik, sepse çështja e çmimit, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në fuqinë blerëse të familjeve dhe konkurrencën e kompanive, i shtohen çështjet gjeostrategjike dhe angazhimet e marra në nivel evropian në drejtim të dekarbonizimit dhe zhvillim të qëndrueshëm”, tha ajo në një intervistë.
Diplomatja franceze ka thënë se është e rëndësishme që Kosova sa më shpejt të miratojë një strategji energjetike që përcakton se cila do të jetë përbërja e burimeve energjetike të vendit në 10, 20 apo edhe 30 vitet e ardhshme.
“Vendimet që merren tani kanë të bëjnë me angazhime afatgjata. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Kosova të jetë në gjendje të miratojë shpejt një strategji energjetike që përcakton se cila do të jetë përbërja e burimeve energjetike të vendit në 10, 20 apo edhe 30 vitet e ardhshme”,ka thënë ajo.
Ajo për fund, ka thënë se Kosova ka shumë reforma për të kryer dhe veçanërisht zbatimi i ligjeve ekzistuese.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...