Google ADS

Vranë 23-vjeçaren dhe e groposën, Gjykata e Tiranës dënon me 50 vjet burg babë e bir

16:01 | 17 Shkurt 2022
V. S.

Gjykata Penale e Tiranës ka dënuar me 50 vjet burgim babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buçi për vrasjen e Eglantina Buçit.

Babai dhe vëllai i të ndjerës janë dënuar me nga 25 vite burg secili, ndërsa ishin të pranishëm në seancën për shpalljen e vendimit.

Faik dhe Shkëlzen Buçi kanë mohuar vazhdimisht akuzat për vrasjen e bujshme të vitit 2012 të Eglantinës, në atë kohë 23-vjeçare.

Për vrasjen, akuzohet vëllai i viktimës, ndërsa ka dyshime të jetë porositur nga babai i saj, Faiku.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për 50 vjet dënim në total për babë e bir.

Faik e Shkëlzen Buçi, akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Krimi ndodhi në vitin 2012, por është zbardhur në 2020. Asokohe në Malin me Gropa, në zonën malore midis qarkut të Tiranës dhe Dibrës, u gjet një skelet i groposur, ku pas analizave, rezultonte të ishte i Eglantina Buçit.

Sipas dosjes hetimore, Shkëlzen Buçi, vëllai i Eglantinës, thirri të motrën për kafe, i shoqëruar dhe nga shoku i tij.

Gjatë rrugës për te Mali me Gropa, Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk po shkonte. Shkëlzeni ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb, ndërsa skena është parë nga shoku.

Sot, me statusin e të penduarit të drejtësisë, shoku i Shkëlzenit, rrëfeu krimin 8 vite pasi kishte ndodhur.

Faik Buçi u arrestua pas rrëfimit të një miku të Shkëlzen Buçit, i cili i kishte ndihmuar babë e bir për të vrarë dhe më pas për të varrosur në Malin me Gropa, Eglantina Buçin.

Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë fakti se 23-vjeçarja ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me dikë, pa dëshirën e babait dhe vëllait. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme