Krerët politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot (17 shkurt) e kanë uruar Kosovën për 14 vjetorin e Pavarësisë.
Ata thonë se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës është akti më patriotik i një populli të robëruar”, duke kujtuar të gjithë ata që kontribuan për çlirimin e vendit.
Më poshtë i keni urimet e tyre për Pavarësinë e Kosovës:
Afrim Gashi: – kryetar i Alternativës:
17 Shkurti i secilit vit vjen për të na e rikthyer entuziazmin e festës, por edhe për të na i ndërmendur të gjitha përpjekjet e sakrificat vetëmohuese të shumë brezave për Kosovën e lirë e të mosvarme. Njësoj si para 14 vjetëve, edhe sot e kam emocionin e njëjtë kur bashkërisht festonim rrugëve të Prishtinës. Është kjo një histori që na bën të mburremi të gjithëve. Gëzuar 14 vjetët e pavarësisë, Kosovë!
Ali Ahmeti: – kryetar i BDI-së:
Çdo ditë e Kosovës së lirë dhe të pavarur është përkujtim i kushtrimit të lirisë, të cilit nga të gjitha trojet tona iu përgjigjëm për të ruajtur rrënjët e identitetit të saj shqiptar! 17 Shkurti është më shumë se festë shtetërore, është mirënjohje mbarëkombëtare për veprën e lavdishme të dëshmorëve, është drejtësi e vendosur në vendin e vet, është amanet për të vazhduar rrugën e përparimit të Kosovës. Qoftë përjetë e lirë Kosova jonë dhe i përjetshëm kujtimi për ata që qëndruan në mbrojtje të saj! Gëzuar!
Bilall Kasami: – kryetar i Lëvizjes Besa:
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më patriotik për një popull të shtypur e të robëruar dhe me ndalim të lirisë së fjalës. Shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008, ishte kurorrëzimi i një udhëtimi të dhimbshëm mes lotësh për të gjithë shqiptarët. Unë si kryetar i Komunës së Tetovës dhe si kryetar i Lëvizjes BESA, i uroj nga zemra mbarë shqiptarët për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sakrifica e të parëve tanë, nuk duhet harruar asnjëherë por ata duhet lartësuar si ndër njerzit që sakrifikuan çdo gjë për këtë ditë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës po i kontribuon stabilitetit rajonal dhe ballkanik. Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE është priroriteti kryesorë, andaj sa më i përshpejtuar të jetë anëtarësimi aq më i përshpejtuar do të jetë progresi dhe zhvillimit!
Menduh Thaçi: – kryetar i PDSH-së:
Pavarësia e Kosovës është një manifestim dhe shembull i vlerave demokratike, përkushtimit ndaj lirisë dhe rezistencës shqiptare ndaj tiranisë. Është një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët. Në këtë ditë, kujtojmë të gjithë ata që punuan për Kosovën e lirë dhe sovrane mbi idetë e vlerat e të cilëve u themelua shteti. Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare uroj popullin e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme.
Ziadin Sela: – kryetar i Aleancës për Shqiptarët:
Urime 17 shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve anembanë botës. Mirënjohje përjetë atyre që u flijuan për liri.
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë