Vdekja e 9 vjeçares, Klinika e Pediatrisë del me një sqarim

12:28 | 17 Shkurt 2022
A. B.

Klinika e Pediatrisë në QKUK ka bërë një sqarim lidhur me vdekjen e 9 vjeçares, që ka ndodhur ditën e mërkurë.

Në sqarim thuhet se 9 vjeçarja kishte rezultuar pozitiv me coronavirus, dhe se po ashtu kishte sëmundje të rëndë akute.

“Klinika e Pediatrisë sqaron se fëmiu fillimisht ishte pranuar në Repartin Covid-19, për shkak se ka rezultuar pozitiv për COVID. Pas ekzaminimeve shtesë vërtetohet se fëmiu ka sëmundje të rëndë akute dhe për këtë njoftohen prindërit. Më pëlqimin, aprovimin dhe nënshkrimin e prindërve, fëmiu fillon terapinë dhe trajtimin e nevojshëm. Klinika e Pediatrisë sqaron se nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e fëmiut. Për çdo veprim, analizë, procedurë diagnostike dhe fillimin e terapisë për sëmundjen e rëndë akute janë njoftuar prindërit, është marrë pëlqimi dhe nënshkrimi i tyre”, thuhet në sqarim.

Klinika e Pediatrisë bën të ditur se tashmë janë në pritje të rezultatit nga Mjekësisë Ligjore.

“Klinika e Pediatrisë, do të ofrojë gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për hulumtimin e rastit nga organet kompetente”.

Ndryshe, Policia e Kosovës në koordinim me prokurorinë ka nisur hetimet për vdekjen e dyshimtë të një vajzë 9-vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme