Meta dekreton anëtaren e re të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, SHBA dhe BE përshëndesin vendimin

15:13 | 16 Shkurt 2022
A. B.

Ambasadorja Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca përshëndetën sot dekretimin nga presidenti Ilir Meta të gjyqtares Arbena Ahmeti në Gjykatën e Lartë.

Në një reagim në Twitter, ambasadorja Kim ka mirëpritur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve për të vënë në zbatim reformën në drejtësi, përfshi edhe emërimin nga Presidenca të gjyqtarit të dhjetë në Gjykatën e Lartë.

“Rritja e funksionalitetit të Gjykatës së Lartë e lejon që të emërojë edhe një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese”, ka shtuar Kim.


Në anën tjetër, vendimi u mirëprit edhe nga ambasadori i BE-së Soreca.

“Gjykata e Lartë tashmë ka arritur kuorumin që të caktojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të reformës në drejtësi në Shqipëri”, shkroi Soreca në Twitter.

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Arbena Ahmetit, e përzgjedhur për t’u emëruar në këtë gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 10 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme