Flasin analistët| Lista ‘GUXO’ a mund ta ketë fatin e NISMA-s dhe LDD-së?

08:05 | 16 Shkurt 2022
arbresh.info

Tashmë partia më e re në vend, Lista Guxo nuk parashihet të jetë as në nivel të Nismës Socialdemokrate e as Lidhjes Demokratike të Dardanisë, pa Vjosa Osmanin në krye të saj, shkruan arbresh.info.

Njohës të çështjeve politike, pjesëmarrjen në zgjedhje e madje kalimin e pragut të kësaj partie po e shohin si të pamundur.

Analistja politike Afërdita Maliqi, për arbresh.info tha se partia “GUXO”, nuk do ta kalojë as pragun si shkak i mungesës së Vjosa Osmanit dhe njerëzve që ka kjo parti brenda saj.

“Nuk e shoh në nivelin e LDD dhe Nisma, sepse nuk ka lider që do të arrinte të mblidhte votues afër vetes. Nëse Vjosa Osmani do ta udhëhiqte partinë gjasat kanë qenë që në zgjedhje të kalonte pragun, por më këta njerëz që ka ‘GUXO’ nuk do ta ketë fatin as të LDD-së as të Nisma-s, që ta arrijë të kalojë edhe një herë të vetme pragun zgjedhor, kurdo që mbahen zgjedhjet”, tha Maliqi.

Sipas Maliqit deputetët e kësaj partie që gjenden në Kuvend nuk gëzojnë reputacion të mirë, madje ajo thekson se asnjë nga ta nuk është figurë kompetente për tu bërë lider.

“Deputetët e kësaj partie që janë sot në Kuvend si pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, nuk është që gëzojnë ndonjë reputacion të mirë, ose ndonjëri nga ta të jetë lider”, tha Maliqi.

Maliqi tutje përmendi edhe dy partitë e mëhershme si NISMA dhe LDD-ja të cilat lindën pas ndarjes nga dy partitë më të mëdha të asaj kohe, e para nga PDK-ja dhe tjetra nga LDK-ja.

Sipas saj NISMA dhe LDD kanë siguruar pjesëmarrje në Kuvend përmes figurave të cilat i kanë udhëhequr ato.

“Secila parti e re që është formuar, ka pas një lider që e ka quar përpara, të paktën edhe duke ja siguruar një herë pjesëmarrjen në Kuvend, siç kemi pas rastin me LDD ose me Nisma, që kanë qenë fraksione të partive tjera”, deklaroi Maliqi.

Në anën tjetër analisti Nexhmedin Spahiu, për arbresh.info tha se Vjosa Osmani do të qëndrojë në prapavijë ani pse nuk do të jetë në mënyrë direkte.

“Krejt varet se si do të jenë të suksesshëm në qeverisje, se si gjenden në fushatë. Vjosën do ta ketë në prapavijë, pa marr parasysh që nuk është formalisht pjesë e Listës, ajo do të jetë aty, kështu që edhe publiku edhe elektorati e di këtë gjë, ajo çfarë afekton në këtë janë rezultatet e Vjosës si Presidente ku do t’i reflektohen kësaj”, tha Spahiu.

Se a do të jetë e suksesshme apo e dështuar do të varet edhe nga njerëzit që janë nëpër Ministri vlerësoi Spahiu.

“Rezultatet e njerëzve kryesor në Ministri, nëpër funksionet ku i kanë të gjitha këto do ta bëjnë që ajo me qenë një parti e suksesshme ose e dështuar varësisht prej rezultatit”, deklaroi Spahiu.

Kujtojmë se Lista GUXO që dikur i printe presidentja Vjosa Osmani, u regjistrua si parti politike, të hënën, ndërsa në krye të saj është vendosur përkohësisht Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme