Ambasadori ukrainas shprehu shpresë se Rusia do t’i japë fund kësaj krize përpara se të kthehet në luftë, duke shtuar se “mund ta zgjidhim këtë në mënyrë paqësore me ndërmjetësimin e Turqisë”.
Ambasadori ukrainas në Ankara, Vasyl Bodnar, ka deklaruar se tensioni i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës mund të zgjidhet në mënyrë paqësore me ndërmjetësimin e Turqisë, raporton Anadolu Agency.
Duke folur me gazetarët pas hapjes së pyllit përkujtimor Turqi-Ukrainë në provincën jugore Adana, ambasadori Bodnar tha se Rusia po grumbullon ushtarë përgjatë kufijve ukrainas.
“Ne presim që kjo situatë të zgjidhet në mënyrë paqësore. Por sigurisht, ne jemi të gatshëm të mbrohemi nëse është e nevojshme”, tha Bodnar.
Ambasadori ukrainas shprehu shpresë se Rusia do t’i japë fund kësaj krize përpara se të kthehet në luftë, duke shtuar se “mund ta zgjidhim këtë në mënyrë paqësore me ndërmjetësimin e Turqisë”.
Në lidhje me vizitën në Ukrainë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, Bodnar tha se vizita shfaqi nivelin e lartë të mbështetjes së Turqisë.
Pas vizitës së tij në Kiev në fillim të këtij muaji, Erdoğan tha se ai ofroi të organizojë një samit të liderëve rus dhe ukrainas në Turqi për të ulur tensionet dhe për të gjetur një agjidhje diplomatike për krizën aktuale.
Sipas ambasadorit ukrainas, marrëveshjet e shumta të nënshkruara midis dy vendeve po ashtu treguan “sa partnerë strategjikë serioz dhe të fortë” janë këta dy vende.
“Kjo është arsyeja pse ne shohim mbështetjen dhe solidaritetin e qeverisë dhe të popullit të Turqisë. Ne nuk duhet të dëgjojmë thashethemet se ka një krizë mes Rusisë dhe Perëndimit, sepse kjo në të vërtetë është një krizë mes Rusisë dhe Ukrainës”, u shpreh ai.
Moska dhe Kievi janë përfshirë në një konflikt që kur armiqësitë në rajonin lindor Donbas shpërthyen në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë.
Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”.
Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën dhe ka theksuar se trupat e saj ndodhen atje për stërvitje.
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...