Biden dhe Zelensky bisedojnë në telefon për situatën në Ukrainë

19:43 | 13 Shkurt 2022
KRG

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka biseduar për një orë rresht të dielën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kështu thanë burime të Shtëpisë së Bardhë për CNN, në mes të paralajmërimeve të SHBA-së se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën brenda javës së ardhshme.

Biden dhe Zelensky folën për herë të fundit në janar dhe biseda e tyre “nuk shkoi mirë”, tha një zyrtar i lartë ukrainas për CNN në atë kohë.

Biseda me Zelensky vjen një ditë pasi Biden e paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin gjatë një telefonate se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të përgjigjen “në mënyrë të vendosur dhe do të imponojnë kosto të shpejta dhe të rënda” ndaj Rusisë nëse Putin vendos të pushtojë Ukrainën.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Biden, Jake Sullivan, lëshoi të dielën një paralajmërim të ashpër se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia mund të nisë një pushtim të Ukrainës këtë javë, por ende shpreson që diplomacia të mbizotërojë.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se Rusia ka më shumë se 100,000 trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën. Që nga e shtuna, SHBA kishte zhvendosur disa nga forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e pjesës më të madhe të stafit të ambasadës së saj të shtunën, pasi frika shtohej për një pushtim të mundshëm rus, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme