Albin Kurti me apel për qytetarët: Vaksinohuni, që të fitoni imunitetin ndaj koronavirusit

19:52 | 12 Shkurt 2022
S D

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur në Kosovë është shënuar dhënia e 1.8 milionë vaksinave kundër COVID-19 ka bërë apel te qytetarët që sa më shpejt të marrin dy dozat kundër virusit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900 mijë qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë.

“Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues. Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA”, ka shkruar ai.

Kurti theksoi se donacioni i ShBA-ve, do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë.

“U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19”.

Kurti i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt.

“Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se “me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme