Google ADS

Shqipëri, numër rekord vdekjesh në vitin 2021

07:36 | 12 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Rreth 30.6 mijë persona kanë humbur jetën gjatë vitit të kaluar. Këto janë të dhënat e publikuara nga Instat që tregojnë se kjo është shifra më e lartë e vdekjeve e regjistruar ndonjëherë, e ndikuar së tepërmi nga rastet e humbjeve të jetës prej pandemisë Covid-19.

Në raport me vitin 2020, numri i vdekjeve është rritur me mbi 2 900 persona në të gjithë vendin, ku tremujori i katërt i vitit të kaluar shënoi sërish rritjen me tremujorin e mëparshëm duke arritur në mbi 7800 vdekje, nga mbi 9 300 raste të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Instat ka rishikuar me rritje edhe të dhënat për tremujorët e tjerë të vitit 2021 për vdekjet, ku rezulton se vetëm gjatë periudhës janar-mars 2021 u shënuan mbi 10 200 vdekje, nga mbi 9600 të raportuara më herët.

Krahasuar me vitin 2019 të para pandemisë numri i personave që kanë humbur jetën është rritur me më shumë se 8 600 raste vdekjesh.

Ndërkohë, numri i lindjeve nga ana tjetër ka vijuar tkurrjen e fortë. Për vitin që lamë pas statistikat flasin për mbi rreth 3 700 foshnja më pak të ardhura në jetë krahasuar me vitin 2020, pasi totali i numrit të lindjeve zbriti në 27 284.

Kjo diferencë e thellë ku vdekjet vazhdojnë të tejkalojnë lindjet ka bërë që shtesa natyrore e popullsisë të llogaritet në 3 296 vdekje më shumë se lindje në vitin 2021.

Këto shifra shqetësuese për vitin e kaluar janë ndikuar dukshëm edhe prej situatës së pandemisë Covid-19 që vijon të shkaktojë humbje jete në vend duke përkeqësuar treguesit demografikë./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme