Në Berlin u mbajt (10.02.) takimi i dytë i Formatit të Normandisë, ku morën pjesë Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina. Që këshilltarë të lartë të politikës së jashtme të Rusisë dhe të Ukrainës folën në Berlin, për nëntë orë me njëri-tjetrin, kjo ia vlen të veçohet. Megjithë këtë fakt, rezultate konkrete nuk pati.
Temë qendrore ishte zbatimi i Marrëveshjes së Minskut, ku janë përqendruar aktualisht përpjekjet diplomatike për krizën e Ukrainës. Kjo marrëveshje është dokumenti i vetëm aktual i sigurisë, i nënshkruar, si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina. Në Berlin, pala ruse kërkoi nga ndërmjetësuesit që t’i bëhet presion më i madh Ukrainës. Sipas burimeve franceze në takim, Rusia kërkoi që Ukraina të negociojë me separatistët në Donjeck e Luhansk. Kjo mbetet deri tani vijë e kuqe për Ukrainën.
Për momentin, disa ekspertë e shohin Marrëveshjen e Minskut si rrugën e vetme realiste për të dalë nga konflikti. Edhe presidenti francez Macron e vuri këtë marrëveshje në qendër të vëmendjes, në vizitën në Moskë e Kiev.
Sipas Marrëveshjes së Minskut, palët duhet të tërheqin plotësisht armët e rënda dhe njësitë e huaja ushtarake; zonat nën kontrollin e separatistëve prorusë, Luhansk dhe Donjeck duhet të vihen nën administrim lokal; Ukraina duhet të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit.
Gjermania po demonstron një rol ofensiv drejtues në përpjekjet shtensionuese të situatës rreth Ukrainës. Në këtë kuadër, veç takimit të djeshëm në formatin e Normandisë, për krizën e Ukrainës kancelari Scholz ftoi të martën (08.02.) në Berlin presidentin francez Macron dhe presidentin polak Duda. Në nivel të lartë, Trekëndëshi i Vajmarit si quhet iniciativa midis Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, kishte 11 vjet që nuk ishte mbledhur. Një nga deklaratat e fundit të këtij forumi ka qenë në vitin 2014, kur Rusia kishte mbledhur rreth 40.000 trupa në kufi me Ukrainën.”Synimi ynë i përbashkët është që të pengojmë një luftë në Evropë”, tha kancelari Scholz të martën në Berlin.
Kurse të enjten (10.02.) kancelari Scholz ftoi në Berlin krerët e tri shteteve baltike, presidentin e Lituanisë Gitanas Nauseda, kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe kryeministrin letonez, Krišjānis Kariņš. Para takimit, Scholzi i kërkoi Rusisë që të ndërmarrë hapa të qartë për shtensionim. Ne jemi të gatshëm për dialog serioz, tha ai.
Siç dihet, këto ditë Gjermania dërgoi 350 ushtarë shtesë në Letoni, si përforcim të kontigjentit prej 1200 ushtarësh të NATO-s, të cilin Gjermania e drejton në Letoni.
Të hënën (14.02.) kancelari Scholz do të shkojë në Kiev dhe të martën (15.02.) në Moskë.
Rolin drejtues të Gjermanisë në përpjekjet deeskaluese për Ukrainën e vlerësoi shprehimisht të hënën (07.02.) edhe Presidenti amerikan Joe Biden, në vizitën që bëri në Uashington kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Rezultati kryesor i vizitës prezantuese të kancelarit Scholz në Uashington ishte rivendosja e besueshmërisë, se Gjermania është aleate e sigurtë në krizën midis Ukrainës dhe Rusisë. Kjo ishte vënë në pikëpyetje, nga disa media në Amerikë dhe disa kongresistë republikanë. Sipas njoftimit që dërgoi në Berlin në fund të janarit ambasadorja gjermane në Uashington, Emily Haber, ata synonin një “diskreditim të rëndë” të Gjermanisë, paraqitjen si “aleate jo të sigurtë” në krizën aktuale midis Ukrainës dhe Rusisë.
Kancelari Scholz tha në Uashington se “mund të jeni të sigurtë: nuk do të ketë masa në të cilat ne do të veprojmë ndryshe, ne do të veprojmë të unifikuar dhe së bashku.” Ndërsa Presidenti Biden deklaroi se “Gjermania është një nga aleatet tona më të rëndësishme në të gjithë botën.” Joe Bideni tha edhe se: “Gjermania është një aleate krejt e besueshme. Për këtë nuk kam dyshim”.
A është Gjermania „hallkë e dobët”në raportin evropian me Rusinë?
Kriza aktuale e Ukrainës me Rusinë u ndodh në tryezën e qeverisë së re gjermane vetëm pak ditë pasi ajo mori drejtimin e Gjermanisë. Kjo shpjegon ndonjë çështje komunikimi të qëndrimit gjerman ndaj konfliktit aktual. Por kjo tani i përket së kaluarës.
Shtetet kryesore të BE, Gjermania, Franca, Italia kanë në thelb ndaj Rusisë qëndrim të ngjashëm me qëndrimin e Gjermanisë. Synimi i përbashkët është ruajtja e paqes dhe pengimi i destabilizimit të Evropës.
Por në përputhje me traditat vetjake në politikën e jashtme dhe të sigurisë, ka dallime sipërfaqësore. Francezët përdorin edhe gjuhë të fortë diplomatike ndaj Rusisë, për ta pasuar këtë me iniciativa vetjake për një dialog të ri me Rusinë, siç veproi Presidenti Macron me Presidentin Putin tre vjet më parë.
Italia është vend besnik i NATO-s. Megjithatë, edhe në situatën aktuale, në javët e fundit, biznesmenë të mëdhenj italianë zhvilluan negociata ekonomike me Presidentin Putin.
Gjermania ka marrëdhënie komplekse me Rusinë. Nga njëra anë, i pranishëm te shumë gjermanë është faji historik për sulmin nazist ndaj Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër, Gjermania nuk harron që Rusia lejoi ribashkimin e Gjermanisë.
Njëkohësisht: qëndrimi i Gjermanisë duhet matur nga veprimet faktike që nuk mungojnë për sigurinë evropiane. Ishte pesha e Gjermanisë që e mbajti të bashkuar BE për sanksionet ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Presioni ekonomik ndaj Rusisë është ai që do të përdorë në rast ekstrem, edhe në situatën aktuale, edhe një fuqi ushtarake si SHBA. Në këtë drejtim Gjermania është plotësisht e intonuar me strategjinë e SHBA.
Kërkesat për të ndërprerë Nordstream 2 janë jo vetëm parimore, ato kanë të bëjnë me interesa direkte ekonomike të kritikuesve. Si p.sh. të Polonisë. Gazeta e njohur gjermane taz shkroi këto ditë se Polonia synon të dominojë tregun evropian të gazit, së bashku me SHBA. Për këtë Polonia po ndërton gazsjellësin Baltic Pipe përmes Detit Baltik si dhe cisterna gjigande për gaz të lëngshëm, në bregdetin e Baltikut. Në këto cisterna, gazi i lëngshëm nga SHBA do të kthehej sërish në gaz, me synimin kryesor për ta eksportuar. Fundi i Nordstream 2 do ta ndihmonte riorganizimin e tregut të gazit në Evropë dhe do ta spostonte Gjermaninë nga biznesi i deritashëm.
Përsa i përket qëndrimit aktual gjerman ndaj gazsjellësit Nordstream 2: Kancelari Scholz tha në SHBA në një intervistë me CNN, se ne i themi Rusisë: “Po të marshoni në Ukrainë…kjo do të ketë pasoja të mëdha në ekonominë tuaj dhe në shanset tuaja për zhvillim. Dhe ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa që do të na kushtojnë diçka”.
Njëkohësisht, kancelari gjerman tha se “ne vazhdojmë të punojmë në të gjithë formatët e ndryshëm, ku ka sot dialog.” Scholzi i tregoi gazetës „Washington Post” se ai synon një lloj “ambiguiteti strategjik”. Që Rusia të nënkuptojë shumë gjëra, ndër masat me të cilat mund të përballet.
Prandaj, megjithë përqendrimin te kjo çështje të gazetarëve dhe të disa shteteve lindore: nuk duhet mbiinterpretuar që kancelari Scholz nuk e ka thënë shprehimisht se do të ndalohet gazsjellësi Nordstream 2, nëse Rusia e sulmon Ukrainën. Kancelari gjerman tha se nuk do të ketë masa, ku ne do të veprojmë ndryshe nga amerikanët. Dhe Presidenti Biden tha se në rast sulmi ndaj Ukrainës, nuk do të ketë Nordstream 2.
Për Ukrainën Gjermania është donatori kryesor i ndihmave civile që ka marrë ky vend. Prej vitit 2014 Ukraina ka marrë 1.8 miliardë euro ndihmë financiare nga Gjermania. Ndërsa 3,8 miliardë euro të tjera i ka marrë përmes BE, ku donatori kryesor neto është gjithashtu Gjermania.
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë