Google ADS

Ukraina i kërkon Rusisë të shpjegojë aktivitetet e saj ushtarake brenda 48 orëve

23:56 | 11 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Ukraina i ka kërkuar Rusisë që të sqarojë mbi aktivitetet e saj ushtarake në kufijtë e Ukrainës brenda 48 orëve, tha ministri i Jashtëm ukrainas.

“Ne kemi aktivizuar zyrtarisht mekanizmin e reduktimit të rrezikut në përputhje me paragrafin III të Dokumentit të Vjenës dhe i kërkuam Rusisë të japë shpjegime të hollësishme mbi aktivitetet ushtarake në zonat ngjitur me territorin e Ukrainës dhe në Krimenë e pushtuar përkohësisht,” tha Dmytro Kuleba, shkruan AA, transmeton portal arbresh.info

“Sipas Dokumentit të Vjenës, Rusia duhet të japë shpjegime të hollësishme mbi objektivat, vendndodhjen e saktë dhe datat e përfundimit të aktiviteteve të saj ushtarake, si dhe përcaktimin, vartësinë, numrin dhe llojet e formacioneve, si dhe llojet e pajisjeve të përfshira”, shtoi ai.

Rusia ka vetëm 48 orë për t’u përgjigjur.

“Në rast të mungesës së përgjigjes ose pamjaftueshmërisë/irrelevancës së saj, Ukraina do t’i drejtohet Rusisë, si dhe shteteve të tjera pjesëmarrëse të Dokumentit të Vjenës, në mënyrë që të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm ku Rusia do të duhet të japë shpjegime”, vuri në dukje ai.

Kuleba ka theksuar se Ukraina do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të garantuar sigurinë e Ukrainës.

Ukraina është rrënuar nga konflikti në rajonet e saj lindore që nga marsi i vitit 2014 pas pushtimit rus dhe aneksimit të Krimesë.

Rusia ka vendosur 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.

Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj nga zgjerimi i NATO-s drejt kufijve të saj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme