Një mori vendesh po iu bëjnë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina

21:43 | 11 Shkurt 2022
Lorik Gerbeshi

Një mori vendesh iu kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina, mes paralajmërimeve në rritje për një pushtim rus.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, zyra e jashtme britanike tha se të gjithë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar “duhet të largohen tani ndërsa mjetet tregtare janë ende në dispozicion”.

Udhëheqësit e NATO-s kanë mbajtur një takim, pas të cilit Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se blloku qëndronte “i bashkuar dhe i përgatitur për çdo skenar”.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufirit.

Por vendi sapo ka filluar stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë dhe Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokimin e daljes së saj në det.

Kremlini thotë se dëshiron të zbatojë “vijat e kuqe” për t’u siguruar që ish fqinji i tij sovjetik të mos bashkohet me NATO-n.

Ndër vendet e tjera që po i bëjnë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina, janë ato si Holanda, Japonia dhe Koreja e Jugut. Në paralajmërimin e saj, Letonia përmendi “një kërcënim serioz për sigurinë të paraqitur nga Rusia”.

SHBA-ja gjithashtu iu ka thënë qytetarëve të saj që të largohen, derisa Presidenti amerikan, Joe Biden tha se ai nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar shtetasit e mbetur të bllokuar në rast të ndonjë pushtimi rus.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme