Abazoviq bisedoi me Gjukanoviqin për formimin e një “qeverie evropiane” të Malit të Zi

15:24 | 11 Shkurt 2022
V. S.

Javën e kaluar është shkarkuar kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, i cili humbi besimin edhe të partnerëve të koalicionit që tashmë kanë nisur negociatat me partitë e tjera parlamentare për të formuar një qeveri të re.

Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq dhe drejtori ekzekutiv i partisë, Zoran Mikiq, biseduan me një sërë partish parlamentare për formimin e një “qeverisë evropiane”, të cilën e prezantuan si një nga modelet më të mira për tejkalimin e krizës politike në Mali i Zi.

Lëvizja bën me dije se të enjten, ndër të tjera, është organizuar një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviqin, të cilët, siç thonë ata, “paraprakisht i kanë dhënë mbështetje qeverisë evropiane, por që nuk do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar”, raporton vijesti.

“Takimi është mbajtur në ndërtesën e Presidencës, me Milo Gjukanoviqin, Danijel Zhivkoviqin dhe Ivan Vukoviqin, të cilëve u janë prezantuar prioritetet e qeverisë evropiane”, thuhet në komunikatën e URA-s.

Takime u zhvilluan edhe me partitë e tjera parlamentare duke përfshirë edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë Fatmir Xheka dhe Nik Gjeloshajn.

Theksojmë se zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Abazoviq kishte deklaruar se së shpejti do të krijohet qeveria e re, e cila si prioritetet do të ketë luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe rrugën evro-atlantike.

Krivokapiq u shkarkua gjatë javës së kaluar pas shumë mosmarrëveshjeve me partnerët e koalicionit rreth rrugëtimit evropian ndërsa kishte shkaktuar edhe incidente diplomatike.

Ndryshe, disa parti minoritare si dhe presidenti malazez, Gjukanoviq kanë pohuar se një prej kandidatëve të mundshëm për të qenë në krye të qeverisë është edhe Abazoviq, i cili ditë më parë kishte deklaruar se nuk i ik përgjegjësive edhe më të mëdha nëse i besohen. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme