Rama flet gjatë fluturimit drejt Kukësit: Shqipëria me turizmin më të zhvilluar në rajon brenda 2030-ës

11:42 | 11 Shkurt 2022
S D

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se e sheh turizmin si të ardhmen e vendit dhe se Shqipëria do të shndërrohet në vendin me turizmin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor në 2030-ën.

Në një intervistë të publikuar sot por të kryer gjatë një fluturimi me avion nga Tirana drejt Kukësit me aeroplanin e kompanisë WizzAir disa ditë më parë, Rama ka shtuar se heqja e takës së kufirit do të ulë më tej çmimet e biletave të fluturimeve në vend.

Në intervistën e publikuar në faqen e tij në Facebook, Rama ka thënë se Aeroporti i Kukësit, përveç zhvillimit qe sjell në Shqipëri, ka një rëndësi të veçantë rajonale duke shërbyer edhe për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Rama ka thënë gjithashtu se përveç Aeroportit të Kukësit do të ndërtohet edhe Aeroporti i Vlorës, që siç u shpreh Kryeministri, me shumë gjasa mund të jetë edhe më i madh se Aeroporti “Nënë Tereza”.

Po kështu, edhe Saranda do të ketë një aeroport që do të jetë vetëm sezonal, ka shtuar Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme