Google ADS

Të hënën në Maqedoni do të fillojë testimi skrining për të parë imunitetin ndaj COVID-19

23:17 | 10 Shkurt 2022
L G

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski, njoftoi se të hënën do të fillojë testi i rastësishëm i skriningut, i cili duhet të tregojë nëse dhe çfarë imuniteti ndaj COVID-19 ka popullata në vend.

Kjo, tha ai, do të ndihmojë në planifikimin e aktiviteteve të ardhshme si të Komisionit ashtu edhe të shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Një test i këtillë është bërë një vit më parë dhe ka rezultuar se rreth 30 për qind e të testuarve kanë qenë seropozitiv, pra ka njëfarë imuniteti.

“Ne e bëmë atë hulumtim një vit më parë. Tani do të fillojmë testimin të hënën dhe nëse nuk mbledhim mjaftueshëm të anketuar do ta vazhdojmë për javën e ardhshme. Presim që në këtë moment, një vit pas hulumtimit të parë, të zbulohet se cila është seroprevalenca, gjegjësisht sa nga të testuarit kanë imunitet”, tha Petliçkovski.

Ai shtoi se testimi është planifikuar të bëhet në një mostër prej 1000 të anketuarve në Shkup, por njoftoi se ekziston mundësia që të zgjerohet në të gjithë vendin.

Me një mijë të testuar nga Shkupi ose dy në tre mijë nga vendi, theksoi Petliçkovski, nuk do të ketë të dhënat më të sakta, por do të ketë udhërrëfyes se ku po lëvizim dhe kjo, theksoi ai, është e nevojshme që të planifikohen masat e ardhshme.

Të ngjashme