Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë dhe Mon Balajt në Podujevë, në 15–vjetorin e vrasjes së tyre.
Ai ka bërë homazhe edhe te pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, në Bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti e filloi me fjalët e veprimtarit Adem Demaçit, i cili me 10 shkurt të vitit 2007, në po të njëjtin shesh, kishte thënë “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”, shkruan arbresh.info.
Kryeministri Kurti tha se rruga jonë është e drejtë, dhe atë 10 shkurt për të disatën herë, ne e shpallëm hapur testamentin, që gjithkush ia shpallë vetvetes, testamentin e vetëvendosjes.
“Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë, ajo është thjesht polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit”, deklaroi kryeministri.
Më tej, ai tha se në vitin 1968, në vitin 1981, në vitet ’88, ’89, ’90 e ’91, pastaj në vitet ’97, ’98 e ’99 e edhe në vitin 2007, për të mbërritur në të tashmen tonë e kishim thënë gjithnjë se drejtësia nuk importohet, por është virtyt i yni.
“Me këtë dëshirë e me këtë besim, ne dolëm me mijëra në shesh, atë të shtunë të 10 shkurtit 2007. Po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh. Dhe, policia arbitrare e UNMIK-ut, na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim, pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës së dytë, e për qytetarët e dorës së dytë, nuk ka Kuvend, por polici, nuk ka gjykim, por hetim”, tha kryeministri Kurti.
Prandaj, të gjithë ne, pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë, bashkë me ne, jemi të përfaqësuar nga Arben Xheladini dhe Mon Balaj, tha ai, duke shtuar se përmes ngjarjes sonë dhe emrave të tyre, ne do të takohemi me nipat e fëmijët tanë në të ardhmen, ashtu siç e kemi bërë historikisht.
“Ky është shesh, është sheshi kur i vjen dëshmia dhe shtohet trashëgimia. 15 vite më parë, në këtë shesh ne kërkonim ende me vendosmëri të drejtën e rrugës së lirë të Kosovës, lirinë e së drejtës së Kosovës. Sot, do të vazhdojmë projektin e Republikës me një ndërtim më të denjë. E duam të lirë rrugën e saj, e duam të drejtë rrugën e saj, e duam të sigurt rrugën e Kosovës. Lavdi Mon Balajt e Arben Xheladinit e të gjithë dëshmorëve të popullit tonë!”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti./arbresh.info/
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuara familje të dëshmorëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca,
Të nderuar ministra të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit,
Të dashur aktivistë,
Të dashur veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I dashuri Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova, që së bashku me Hysni Hysenin,i cili vdiq para dy vjetëve, ishin të plagosur rëndë në protestën e 10 shkurtit 2007,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë shesh, baca Adem, Adem Demaçi, në atë 10 shkurt të vitit 2007 deklaroi: “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës!”
Po, kjo është rruga jonë, rruga e gjithë atyre, që jetuan, e ndërtuan dhe e mbrojtën Kosovën me gjakun, djersën, vitet, jetën, shpirtin dhe rininë e tyre.
Rruga jonë është e drejtë. Prishtina e ka këtë shesh e këtë rrugë, vendin e protestave të gjitha kohërave të saj. Është sheshi i saj historik. Edhe atë 10 shkurt, për të disatën herë, ne e shpallëm hapur testamentin, që gjithkush ia shpallë vetvetes, testamentin e vetëvendosjes.
Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë, ajo është thjesht polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit.
Të nderuar të pranishëm
Shqiptarët e çdo brezi janë takuar në këtë shesh me historinë. Shqiptarët e çdo brezi do të rivijnë përsëri në këtë shesh, e do të përkujtojnë të rënët për liri e drejtësi.
Në vitin 1968, në vitin 1981, në vitet ’88, ’89, ’90 e ’91, pastaj në vitet ’97, ’98 e ’99 e edhe në vitin 2007, për të mbërritur në të tashmen tonë. E ne kishim thënë gjithnjë se drejtësia nuk importohet, por është virtyt i yni. Ky është virtyti ynë jashtëkohor, i shprehur në të gjitha këto momente historike të demonstratave të popullit.
Me këtë dëshirë e me këtë besim, ne dolëm me mijëra në shesh, atë të shtunë të 10 shkurtit 2007. Po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh. Dhe, policia arbitrare e UNMIK-ut na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës së dytë, e për qytetarët e dorës së dytë, nuk ka Kuvend, por polici; nuk ka gjykim, por hetim.
Mijëra ishim bashkë në shesh atë ditë dhe me qindra e mijëra në vatrat tona me shpirtin e Republikës.
Baca Adem me 28 vitet e burgut në shpinë deklaronte drejtësinë para pothuajse 28 vjeçarit Mon Balaj, ndërsa Arben Xheladinit, po i mbusheshin po aq vite, prej pjekjes së parë në protesta, prej atëherë kur ai shpinte bukën në barrikadat e studentëve të vitit 1981.
Kështu është thurur gjithnjë historia jonë. Vitet e burgut të dikujt, përcaktojnë moshën e pjekurimit dhe përjetësimit të dikujt tjetër.
Prandaj, të gjithë ne, pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë me ne, jemi të përfaqësuar nga këta dy emra: Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Përmes ngjarjes sonë dhe emrave të tyre, ne do të takohemi me nipat e fëmijët tanë në të ardhmen, ashtu siç e kemi bërë historikisht.
10 shkurti, ishte ngjarja e Republikës. Pra, kur mblidhemi këtu, mblidhemi edhe në emër të të gjithë atyre, që janë mbledhur para nesh në këtë shesh, por edhe për të treguar se ç ‘mësoi dija e Republikës atë ditë. Mblidhemi për të dëshmuar se kemi qenë si popull gjithnjë të pjekur, e të vetëdijshëm deri në flijim për plotninë e drejtësisë.
Ne thamë atëherë se drejtësia nuk jepet me copa dhe ju drejtuam policëve tanë sepse ata ishin vendosur para policëve të UNMIK-ut, të cilët më pas qëlluan mbi trupat tanë pas asnjë ngurrim. Sepse pas burokratëve të ftohtë vinin policët e nxehtë. Dhe për të dy kategoritë ne ishim njerëz pa të drejtë e pa qytet. Ne ishim njerëz që nuk i mbron ligji por vetëm i dhunon policia e huaj.
Ne e dinim nga përvoja, andaj ishim të qartë se duhet të ishim sa më shumë trupa në atë shesh e në atë ditë. E dinim se duhet të ishim krejtësisht të vendosur. Ajo që do të zbulohej atë ditë ishte caku i arbitraritetit të dhunës, që na përjashtonte nga atributi i lirisë.
Të nderuar motra dhe vëllezër,
Moti i shqiptarëve është i mbushur me data. Ne nuk do të lodhemi kurrë duke i përkujtuar datat dhe njerëzit tanë, sepse akti që përmbahet aty është pesha e vetëvendosjes mbi secilin njeri që u kthye në dëshmorë.
Çdo përkujtim është një rikuptim i së shkuarës, një kuptim i ri i së tashmes. Pa këtë përkujtim e ardhmja do të ishte vetëm kompromis, e tashmja vetëm korrupsion.
Ne jemi të përbërë prej dy moralesh, moralin politik të demokracisë që i ka shërbyer gjithnjë moralit historik të vetëvendosjes. Në odat tona, e më pas në shkollat tona, e kemi ushtruar mendimin, dhe, në sheshe e kemi ushtruar guximin. E drejta politike që i njihnim vetes nuk na lejoi të ishim servil, e të mos kuptonim se paketat si ‘modus vivendi’ shembin aty për aty edhe mendimin tonë për veten, por edhe mendimin perëndimor. Institucionet që na dërgonin paketa dhe polici, dëmtonin konceptin e vet demokracisë sociale e liberale. Ata talleshin me përfaqësuesit tanë, por edhe këta përfaqësues tek luanin rolin e shëmtuar të shërbëtorit talleshin me popullin e tyre. Kur demokracia importohet ajo është ves dhe sëmundje.
Për të gjitha këto ishim të vetëdijshëm që kaherë. Kur paketa dhe policia vijnë me plumba mbi popullin autokton, nuk mbetet prej vlerave asgjë përveçse një peizazh i mjerë i kolonizuar e antidemokratik.
Ne thamë atë ditë se nuk do të lejonim asnjë pavarësi me cene, asnjë demokraci të përbindshme. Ne nuk mund t’i lejonim vetes ta humbnim drejtimin qoftë edhe përballë një armatimi të tillë policor që fliste në gjuhë të huaja e që nuk dinte shqip. Sepse ne i dinim shumë mirë dy direktiva. E para, ne dinim se në ato protesta ne shprehnim trashëgiminë e detyrës dhe aktualitetin e projektit; dhe, e dyta, ne e dinim se nuk ka kompromis në shtetndërtim. Ne e mësuam Republikën para se ta kishim atë, e mësuam me shprehjen demokratike të shpirtit kolektiv në shkolla e në oda dhe me çmimin e burgjeve dhe vrasjeve në protesta. E vulosëm këtë mësim me aktivizimin deri në flijim.
I dashuri baca Shaban,
Ne besojmë më shumë se kurrë se këtej e tutje do të takohemi në këtë shesh brez pas brezi, për të kuptuar se ku jemi me zhvillimin e me ndërtimin, se si po i përgjigjemi drejtësisë me shoqëri dhe me shtet, me popull e me institucione, me krijimtari e me rini.
Dëshmorët ishin tanët dhe ne ua njihnim ëndrrat. Ne i njohim idealet e tyre intimisht. Ne ishim miq ideali me ta, me Arbenin, shokë brez pas brezi që në të shkuarën në fatet e komplikuara të shqiptarëve. E kur ua dimë ëndrrën e dimë se ku vijon rruga e Kosovës.
I dashuri baca Kadri,
Kur vijmë në këtë shesh, çdo vit ne e mbajmë aktuale çështjen e lirisë dhe demokracisë. E kujtojmë dhe e përkujtojmë Monin, por edhe e riaktualizojmë historikun e të gjitha protestave.
E tashmja jonë është rezultat dhe shprehje e tërë çasteve të rezistencës. Nëse një ditë harrojmë ta përkujtojmë vibrimin e këtij sheshi në histori, atëherë kjo do të thotë se ne kemi harruar peshën e vendimeve tona në të tashmen.
Nëse ky shesh është dëshmitar i të gjithë zërave që kanë thirrur në kor idealin e tyre, po ky shesh duhet të jetë dëshmitar se ky shekull i ri, e i ngarkuar, duhet të jetë ai i sigurisë së Kosovës dhe i të vërtetës së saj.
I dashuri Olti, djali i Arbenit,
Ne ecëm atë ditë si një trup. Ne ishim shumë.
Ne shpallëm atë ditë të drejtën tonë të përdorimit të plotë të lirisë. Fakti që ne e vendosëm pa kushte përputhjen e lirisë dhe demokracisë, të çlirimit dhe të shtetndërtimit, bëri që të gjenim para nesh, moskuptimin dhe mosnjohjen. Mu në qendër të Prishtinës, mu në qendër të Kosovës, mosnjohja na mbylli të drejtën për të vendosur mbi fatin tonë. Nuk mund të tërhiqesh përballë mosnjohjes.
Ata që ishin arbitrarisht këtu, nuk mund ta njihnin qenien dhe sakrificën tonë, e neve që jemi historikisht këtu. Ata gjuajtën me shumë lloje armësh mbi njerëz të armatosur vetëm me vullnet e me drejtësi. Ishte forca qorre e armëve mbi trupat e armatosur vetëm me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Prej nesh u vranë dy shokë dhe mes nesh u plagosën 81 të tjerë.
Ne ishim të përgjegjshëm sa një popull demokrat, ndërsa ata ishin të papërgjegjshëm sa dhuna absurde. Kur vullneti i bashkohet drejtësisë, atëherë nuk fiton dhunë arbitrare, por trupat historikë. Ne e dimë mirë se kush jemi.
Ky është shesh, është sheshi kur rivjen dëshmia dhe shtohet trashëgimia. 15 vite më parë, në këtë shesh ne kërkonim ende me vendosmëri të drejtën e rrugës së lirë të Kosovës, lirinë e së drejtës së Kosovës. Sot, do të vazhdojmë projektin e Republikës me një ndërtim më të denjë. E duam të lirë rrugën e saj, e duam të drejtë rrugën e saj, e duam të sigurt rrugën e Kosovës.
Lavdi Mon Balajt e Arben Xheladinit e të gjithë dëshmorëve të popullit tonë!
Ju falemnderit.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030