Zyra e Kryeministrit Kurti ka dërguar fjalimin e plotë të tij në mbledhjen e qeverisë, ku Kurti e arsyetoi shtrenjtimin e rrymës me koston e importit.
Ai ka bërë edhe përllogaritje të faturave me tarifat e reja të vendosura nga ZRrE-ja që sipas tij qytetarët do të paguajnë 2 euro e gjysmë më shumë nëse shpenzojnë 850 kilovatë dhe 10 euro më shumë nëse shpenzojnë 1000 kë/h
Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e qeverisë:
Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40% të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit deri 7 herë më shtrenjtë sesa zakonisht. Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike.
Në dy muajt e fundit, kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të ketë furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehej nga qytetarët. Muajt dhjetor dhe janar janë prej muajve më kritik të vitit. Janë muaj të gjatë edhe të ftohtë, që përcillen me shpenzime të festave të fund vitit, edhe me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Prandaj, jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve mos të ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët tanë. Por, një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë.
Gjatë këtij viti çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet do të duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm, të cilin na duhet ta mbulojmë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë dje ka bërë publik vendimin e saj në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike. Me këtë vendim, ajo përveçse ka ulur tarifat që fillimisht kishte propozuar, po ashtu ka zhvendosur pragun e bllok tarifës nga 600 kËh në 800 kËh.
Përballë tarifave të reja të ZRrE-së ne tashmë kemi zotuar deri në 100 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët tanë. Pra, shumën fillestare prej 75 milionë euro e kemi ngritur në 100 milionë. Besojmë se kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimeve të tarifave që fillimisht ishin propozuar nga ZRrE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kËh në 800 kËh. Çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët që janë konsumatorë shtëpiakë mbetet i pandryshuar për 800 kËh-shin e parë të shpenzuar. Tarifat e reja do të aplikohen vetëm për shpenzimet mbi 800 kËh në muaj.
Më lejoni që të ndaj me ju disa shembuj të shpenzimeve mesatare sipas konsumit të konsumatorëve shtëpiakë dhe ndryshimet e përafërta me këto tarifa pas subvencionimit të Qeverisë.
Për konsum deri në 800 kËh, nuk do të ketë rritje.
Në rastin e konsumit 850 kËh, duke llogaritur një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Nga 49.67 euro në 52.19 euro. Pra, një rritje prej rreth 5%, apo rreth 2 euro e gjysmë më shumë në muaj.
Në rast të konsumit 1000 kËh, duke llogaritur sërish një raport mesatar 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes të faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë rreth 17%. Nga 58.10 euro në 68.18 euro. Pra, 10 euro më shumë në muaj, për ata, të cilët konsumojnë 1 mËh në muaj.
Ndërkaq, në rast të konsumit të 1200 kËh në muaj, duke llogaritur përsëri një raport 60:40 të tarifës së lartë dhe asaj të ulët, dallimi në mes faturës së vjetër dhe asaj që do të jetë pastaj është pak më e lartë. Nga 69.35 euro në 89.51 euro. Një rritje prej rreth 29% apo rreth 20 euro.
Sipas të dhënave tona, bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4% të konsumatorëve shtëpiakë gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kËh në muaj. Mesatarisht. Që do të thotë se falë subvencionimit nga ana e qeverisë, gjatë muajve të ftohtë mesatarisht 70.4% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike ose do të preken minimalisht. Kurse gjatë muajve të verës 89.2% të konsumatorëve shtëpiakë shpenzojnë mesatarisht më pak sesa 800 kËh në muaj. Që do të thotë se gjatë muajve të nxehtë, mesatarisht 89.2% të familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Ndërkaq, 100% të familjeve do të përfitojnë nga subvencionimi i 800 kËh-shit të parë, që ato shpenzojnë. Në anën tjetër, për bizneset nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë duke u rritur shkaku i inflacionit të importuar, në këtë formë synojmë që të shmangim ndonjë rritje të mëtutjeshme të produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, që do të mund të merrnin shkas rritjen e çmimit të energjisë. Kështu ruajmë edhe qytetarët edhe bizneset.
Qytetarë të dashur,
Në kriza energjetike, si në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale. Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet menjëherë një gjendje si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më të shpejtë të krizës për sa më shumë prej jush. Kur kërkohet të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se ç ‘prodhojmë dhe kur çmimet e importit vazhdojnë të jenë më të larta se zakonisht, çka në fakt po kërkohet është që ose shteti të subvencionojë plotësisht importin e energjisë ose që mrekullisht të zhduket kriza energjetike.
E para është e papërballueshme, e dyta është e pamundur. Nga fillimi i krizës energjetike, me qëllim zbutjen e saj, deri më tani kemi ndarë nga buxheti 120 milionë euro. Në perspektivë, kjo është më shumë sesa buxheti për shtesat për lehona dhe fëmijë, shtesat për skemat sociale dhe pensionale, buxheti për barna esenciale dhe buxheti për pajisje moderne për policinë dhe zjarrfikësit, të gjitha këto marrë së bashku.
Zotimi i ynë për subvencionimin të energjisë elektrike për qytetarëve është njëherit edhe thirrje ndaj qytetarëve për racionalizim të shpenzimeve të energjisë elektrike. Sa më shumë që kursehet energjia elektrike aq më e vogël nevoja për import dhe aq më i vogël ndikimi i krizës energjetike te ekonomitë familjare. Energjia e kursyer është buxhet i kursyer i shtetit dhe xhep i kursyer i qytetarit.
Solidariteti shoqëror në situata krize është i domosdoshëm, e ne jemi me fat që si popull, solidaritetin shoqëror e kemi virtyt kulturor e historik. Së bashku e solidarë do ta tejkalojmë edhe këtë krizë.
Ju faleminderit./arbresh.info/
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi