Mbrojtja e Thaçit thotë se ZPS nuk ua kishte dorëzuar deklaratën shfajësuese të ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts

18:58 | 4 Shkurt 2022
L G

Edhe konferenca e dhjetë për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është zhvilluar me ballafaqime, ku mbrojtja e Hashim Thaçit ka thënë se prokuroria nuk ua kishte dorëzuar deklaratën shfajësuese të ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts.

Avokati Gregory Kehoe, fillimisht ka deklaruar rregulla 62 flet për detyrat e prokurorit të specializuar që thotë se në kryerjen e funksionit të vet prokurori i specializuar kontribuon në të vërtetim e të vërtetës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“A ju kanë informuar ndonjëherë zyra e prokurorisë gjatë seancës së konfirmimit, gjatë seancave, parashtrimeve lidhur me mocionin e mbrojtjes për lirimin paragjyqësor. A ju kanë informuar ndonjëherë i nderuar gjykatës se diplomatët e lartë të OSBE-së kanë këshilluar prokurorin para katër vitesh më parë se veprimtaritë kriminale që akuzohen në këtë çështje penale pas qershor ‘99 janë kryer nga individë që kërkonin përfitime personale…Individi që ka dhënë informacion të tillë ka qenë ambasadori Daan Everts, është diplomant holandez nga vitet ‘80”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai ka zbatuar misionin në Prishtinë për zbatimin e misionit të paqes, për të bashkëpunuar me UNMIK e EULEX dhe për të sjellë stabilitet në vend.

“Dhe çfarë i ka thënë ai zyrës së prokurorisë, katër vite më parë, e theksova se mendimi i Everts ishte se dhuna pas ‘99 nuk ishte pjesë e fushatës e organizuar nga udhëheqësia shqiptare. Çfarë tjetër tha ai, “për mendimin tim do të ishte e pasaktë ta quash ngacmim të organizuar, sistematik dhe të nxjerrësh përfundimin se është drejtuar nga lart. E shoh këtë situatë si situatë pandëshkueshmërie të njerëzve që duan të ndjekin, kontrollojnë politikisht për përfitime materiale personale”, ka thënë ai.

I njëjti e pyeti gjykatësin se a nuk do të donte gjykatësi të dinte se çka ka thënë ky ambasador për Thaçin që ka ndërvepruar me ambasadorin në fjalë.

“Unë nuk shikoj arsye apo motiv pse Thaçi do të donte që UÇK të kryente krime etnike sepse do të dëmtonte reputacionin e tij ndërkombëtar” , citoi sërish Kehoe.

Ai tha se si pasojë e mosdijes, të akuzuarit duhet të lirohen. Kurse, tha se këtë dokument as mbrojtja se ka pasur deri para të martës.

“Të martën, si rezultat i përpjekjes së ambasadorit Everts dhe trysnisë që i ka bërë prokurorisë për të marrë këtë dokument që ata kanë refuzuar”, ka thënë Kehoe.

Sipas tij, ky nuk është incident i veçuar apo izoluar, pasi është edhe një letër i marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Barbara Larkins që i është drejtuar senatorit Mitchell.

Tutje, ai tha se ish-kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi ka folur me ZPS dhe se intervista ka përfunduar me një pyetje të bërë “ju duhet të jeni shok me Hashim Thaçin” dhe se kanë marrë këtë njoftim.

“Qindra, qindra ushtarë të UÇK-së janë thirrë për të dhënë deklarata, ku janë këto, çka thënë ato? Ne kemi marrë deklaratat që janë në listën e dëshmitarëve që ata besojnë që janë shfajësuse. Ajo që është më shqetësuese është situata me rastin e ambasadorit Everts, që ishte ambasador me gradë i OSBE-së. Prokurori ka folur me ambasador në një takim privat dhe u thoshte sa të tmerrshëm ishin klientët e mi dhe klienti im do të kalonte jetën në burg”, ka thënë ai.

Tutje, pyeti pse prokuroria la jashtë materialin shfajësues dhe nuk përdorën deklaratën e ambasadorit dhe vetëm këtë të hënë e bënë të njohur.

“E keni theksuar disa herë nevojën që prokuroria të gjejë material shfajësuee, a ka më shfajësuse se deklarata e ambasadorit Everts që e kanë ditur prej sa vitesh”, ka thënë Kehoe, duke shtuar se nuk dinë sa materiale tjera nuk janë nxjerrë.

Nga Prosper, pjesë e ekipit të mbrojtjes së Thaçit, u tha se ndjen nevojën të trajtojë këtë çështje pasi ka implikime të rënda.

“Ka implikime që janë më të gjëra se këto procedura dhe gjykata. Janë të tilla që shkatërrojnë dhe tundin themelet e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare. Jam në pozitë unike për të folë për këtë çështje, pasi jam përfshirë në punën e çdo tribunali të krijuar, që nga Nurembergu”, tha ai, duke përmendur më pas rend tribunalet ndërkombëtare.

Sipas tij, këto tribunale mbështeten mbi besim dhe mendohet se duhet të jenë standarde të arta për botën dhe model që duhet ta ndjekin sistemet e brendshme.

“Duhet të vendosin një qëllim që njerëzit të thonë që nëse jeni si këto tribunale, si Dhomat e Specializuara, kombet e qeveritë vendosin besimin e tyre në këto procedura që duhet t’i mbijetojnë qëndrimit qoftë politik, qoftë historik. Kombe të tilla si Kosova kanë krijuar sovranitetin e tyre në besimin e vërtetimit të së vërtetës. Duhet të operojnë me integritetin më të lartë, prokuroria ka tradhtuar këtë besim dhe ka tradhtuar detyrën e vet për të vërtetuar të vërtetën”, ka thënë ai.

Sipas tij, prokuroria ka dhënë një gjysmë histori kur ka kërkuar konfirmimin e aktakuzës.

“Ata kanë humbur funksionin më kritik të zyrës së prokurorisë dhe kjo është ndjekja e drejtësisë, ajo që sheh drejtë dhe është e ndershme. Në vend të lënë fakte që çojnë në rezultatet, vendosen të shtrembërojnë faktet për qëllimet e tyre. Është shkelje të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Tutje, tha se kur ka prokurori që vepron sipas tekeve të veta pa i dhënë llogari askujt, duke nxjerrë materiale kur u do qejfi dhe duke mbajtur informacion kritik shfajësues për katër vite duke mos ia dhënë as gjykatës është mashtrim që ka nevojë të korrigjohet.

“Imagjinoni nëse këto që po flasim kanë ndodhur në sistem të brendshëm juridik. Imagjinoni se çka do të ndodhte, nga organizatat, qeveritë do të thuhej si guxoni të mbani informacion kaq të rëndësishëm. Kemi të bëjmë me diçka që është më e madhe se ky tribunal. Cili vend në të ardhmen që ka logjikën e duhur do të binte dakord të krijonte tribunal hibrid të tillë kur të mësojnë sjelljen e mbajtjes së fshehtë të informacionit shfajësues, kur nuk tregohet e vërteta e mashtrohet gjykata”, tha Prosper.

Tutje, tha se Dhomat e Specializuara kanë humbur rrugët.

“Nuk është çështja për një gabim të vogël që mund të trajtohet më një konferencë, është shumë më shumë se kaq”, tha ai.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson deklaroi se mbetet një pasiguri e konsiderueshme lidhur me provat që ende nuk janë vënë në dispozicion që janë cituar edhe sot.

“Ma bën shumë të qartë kjo se nuk do të kemi ndonjë qartësi për provat që do të përdor prokuroria dhe objektin e tyre të paktën për disa muaj. Ajo që do të doja të përmendja është se në fund të konferencës do të ngre disa çështje që ndërlidhen edhe me këto”, ka thënë Emmerson.

Kurse, Annie O’Riley deklaroi se i bashkohen parashtrimeve të mbrojtjes së Thaçit.

“Ne nuk kemi besim tek procesi i identifikimit nga ana e ZPS-së të materialeve të rregullës 103, duke pas parasysh nga sa kemi parë nuk janë të besueshëm, nuk na ka nxjerrë gjithë materialin. Jemi në dijeni edhe të dëshmitarëve të tjerë dhe që nuk janë nxjerrë deri tani”, tha ajo.

Ndërkaq, deklaroi se sa i takon kërkesës së tyre për qartësim, vërejnë se nuk kanë marrë ende përgjigje për sa materiale të kësaj rregulle janë nxjerrë.

“Nuk e dimë nëse kanë parë të gjitha apo vetëm 50% dhe duam informacion më konkret për pyetjen tonë”, deklaroi ajo.

Kurse, avokati David Young deklaroi se është shumë serioze ajo që tha avokati Kehoe dhe mbështesin parashtrimet e tij.

“Që në fillim të diskutimit për materialet e rregullës 103, ne kemi cekur rëndësinë që kanë fjalët apo fraza në rregullën 103 do të thotë “me t’i pas prokuroria këto materiale, duhet t’i nxjerr mbrojtjes çdo informacion që ka” . Materiali që zoti Kehoe ka përmendur është e qartë se bie në objektin e kësaj kategorie”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Elis tha se i bëjnë kërkesë gjykatës të mbrojë të drejtat e të akuzuarve.

Prokurorja Claire Lawson ka deklaruar se në lidhje me materialin e rregullës 103 dhe pyetjes që ka bërë mbrojtja e Veselit, materiali i mëparshëm që është pjesë e njoftimit të rregullës 103 është rishikuar dhe janë marrë miratimet përkatëse.

“E kemi kaluar 50% e këtij verifikimi”, tha ajo.

Kurse, sa i përket parashtrimit të mbrojtjes së Thaçit, tha se vetëm tani po mësoj që ka lidhje kjo dhe sigurisht se kjo e pengon aftësinë e saj për tu përgjigjur me korrektësi për këtë material.

Sipas saj, nëse mbrojtja do të përdor këto si prova në gjykim vlera e tyre do të vlerësohet në kuadër të provave tjera.

“Sa i takon kohës për shumë prej materialeve të nxjerra në paketat e fundit të rregullës 103 ne kemi filluar të bëjmë kërkesa që në fillim të vitit 2019, jemi treguar korrekt në kërkimin e miratimeve nga palët përkatëse dhe në bazë të kësaj mund të them se kemi vepruar në përputhje me këtë proces. Ky informacion mund të përdoret nga mbrojtja për krijimin e pistave mbrojtëse dhe për këtë qëllim bëhet ky proces i nxjerrjes së provave”, tha ajo.

Tutje, tha se vijojnë të bëjnë shqyrtimin e materialit në fjalë për nxjerrjen e materialeve potencialisht shfajësuese.

Kurse, avokati Kehoe deklaroi se ky është një problem dhe nuk është diçka e thjeshtë.

“Ky është një problem, është diçka që nuk është nxjerrë, a nuk do të dëshironte të dinte zoti gjykatës që një ambasador i OSBE-së që mbulonte kornizën kohore që ka kjo aktakuzë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është informacion shfajësues dhe është e papranueshme që këta përfaqësues të prokurorisë qëndrojnë sikurse nuk ka ndodh asgjë kur të akuzuarit janë në paraburgim, ndërkohë që kishte informacion që hidhte dyshime dukshëm mbi provat e tyre.

“Nuk e kane nxjerrë materialin sipas rregullës 103, materiali që në rrethanat më të mira do t’i cenonte besueshmërinë e provave të prokurorit të specializuar dhe vetëm pasi ai ambasadori Everts e kontaktoi ZPS-në, si për mrekulli ky dokument na shfaqet përpara në mënyrë magjike”, ka thënë Kehoe, duke shtuar se këto janë gjepura dhe askush nuk i beson.

Ai tha se kjo gjykatë duhet t’i lirojë këta të akuzuar pasi një anëtar i lartë i bashkësisë ndërkombëtare ka hedhur dyshime mbi gjithçka që ka përfshirë në aktakuzë ZPS.

Avokati tha se kontakti me Everts ka ndodh vetëm në kuadër të saj që ndodhte asaj kohe.

“Nuk kemi marrë asnjë udhëzim nga klienti yt. Kemi edhe ne anëtar në ekipin tonë që kanë punuar në bashkësinë ndërkombëtare dhe ishte ambasadori Prosper që kontaktoi”, ka thënë Kehoe.

Ben Emmerson tha se dëshirojnë të dinë edhe sa materiale shfajësuese ka prokuroria.

Kurse, prokurorja deklaroi se ajo çka tha ekipi i mbrojtjes Thaçi nuk është e saktë dhe paketat e rregullës 103 janë përgatitur javën që shkoi dhe sa i përket peshës së tyre vendosin mendimin dhe pikëpamjen e një individi kundër tërësisë së provave tjera.

Paraprakisht, prokurorja tha se sa i përket rregullës 102 (3), kanë nxjerrë 14 paketa me mbi 14 mijë dokumente.

Ajo tha se kanë marrë kërkesë nga ekipi i Veselit për rreth 3 mijë e 102 dokumente dhe se kanë 90% të informacionit që i janë dhënë në dispozicion mbrojtjes.

“Ndërkohë që ne nuk mendojmë se materialiteti i çështjeve që janë kërkuar dhe ne kemi përzgjedhur që të kundërshtojmë aspektin material sa më shumë të jetë e mundur që të maksimizohet nxjerrja e informacionit dhe të ulen kundërshtimet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, sa i takon propozimeve të afateve kohore për kërkesat dhe materiale për t’u nxjerrë sipas rregullës 102 (3) janë të shqetësuar për afatin kohor për dy aspekte.

“Mund të çoj në kërkesa për informacione në materiale, të cilat nuk mund të vihen në dispozicion dhe nga ana tjetër mund të kërkohen informacione që thjesht kanë lidhje tangietale në lidhje me dokumentin. Vënia e afatit kohor mund të çojë që të kërkohet gjithë dokumentet dhe të çoj barrë të tepruar për të gjitha palët”, ka thënë ajo, duke shtuar se po u japin përparësi kërkesave urgjente.

Tutje tha se lidhur me parashtrimet me shkrim do të kërkojnë afate për kërkesat ose përpunimin që mund të caktohen nga gjykata dhe të ketë efikasitet më tepër të procesit dhe mos të ketë probleme.

“Ne kemi dhënë një tabelë përmbledhëse për nxjerrjen e informacionit dhe përfshin informacion mbi dokumentet që nuk janë nxjerrë, për shembull nëse kërkesa është tërhequr, ose është parashtruar kërkesë për masa mbrojtëse ose nëse kemi të bëjmë me dokumente të dublikuara. Do të vazhdojmë të përfshijmë informacione lidhur me informacionet e kërkuara lidhur me vendin ku gjenden dokumentet e tilla pasi të merret kërkesa përkatëse. Njëra nga mbrojtjet na ka kërkuar të shtojmë numrin e dokumenteve dhe do të bëjmë në vijim e sipër këtë”, ka thënë ajo.

Sipas saj megjithatë është e mundur të vendosin numra për secilin dokument që do të nxjerret.

“Duke marrë parasysh vendimet për masat mbrojtëse si dokumenti dhe kërkesa që u ngrit nga mbrojtja Thaçi sot, çdo dokument i rregullit 102 (3) lidhet me dokument specifik dhe i dërgojmë email mbrojtjes dhe u shpjegojmë me cilin dokument lidhet informacioni që kanë kërkuar atë”, tha ajo.

Kurse, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se dëgjoi prokurorinë duke thënë që u janë vënë në dispozicion informacionet dhe se do të dëshironte t’i merrte njëra pas tjetrës dhe i tregoi gjykatësit dokumente që ishin me ngjyrë të zezë.

“Siç mund të shihni këto dokumente janë të gjitha të zeza”, ka thënë ai, duke i treguar një e nga një dokumentet gjykatësit Nicolas Guillou. Tutje, tha se këto dokumente ua kanë nxjerrë sot prokuroria.

Ai pyeti si është e mundur të bëjnë kërkesë në mbrojtje të klientit mbështetur në këtë informacion, kur pjesa më e madhe e informacionit është e redaktuar, kur në një rast di vetëm se bëhet fjalë për muajin qershor 1998.

“Ka edhe 106 dëshmitarë anonim, mund të jenë dëshmitarë që na bëhen të njohur 30 ditë para se të fillojë gjykimi. Kur të dimë kush janë këta njerëz do bëjmë informacioni mbështetur në 103”, ka thënë ai.

Kurse, Annie O’Riley nga ekipi i mbrojtjes Veseli, tha se kanë kërkuar 19 mijë e 487 dokumente dhe deri para pak orësh i janë dhënë vetëm 8 mijë e 428 dokumente në rregullin 102 (3).

“Pozicioni ynë fillestarë është që nuk duhet të caktohet afat kohor, por nëse duhet të vendoset afat duhet të kemi dispozicion të trajtojmë afatin kohor në konferencën e ardhshme. Por, Lawson ka pak të drejtë sa i takon caktimit të afatit kohor. Nuk kemi marrë asnjë nga fletët përmbledhëse deri tani që përmendi prokurorja”, ka thënë ajo.

Avokati David Young që mbron Rexhep Selimin deklaroi se mbështesin mbrojtjen e Thaçit.

“Ne kemi kërkuar 52 mijë dokumente dhe kemi marrë vetëm 9 mijë dokumente që janë nxjerrë mbështetur në kërkesën për nxjerrje dokumentesh në rregullin 102 (3)”, ka thënë ai, duke shtuar që presin ende të marrin edhe 43 mijë dokumente tjera.

Ndërsa, Aydan Elis nga ekipi i Krasniqit, deklaroi se është e rëndësishme të dinë sa kohë i duhet prokurorisë t’i përgjigjen kërkesave që kanë marrë.

“ZPS ka thënë se do të kishte mundësi të jepte përgjigje më specifike sot. Ne kemi parashtruar historikun e kërkesave në parashtrimet tona me shkrim. Më lejoni të fokusohem te kërkesa e dytë, më 7 tetor e parashtruar, që lidhet me 5 mijë e 120 dokumente dhe kemi marrë përgjigje të ndara në 5 paketa të nxjerra deri tani”, ka thënë ai.

Tutje, tha se prokuroria priste që nxjerrja e pjesës tjetër të ishte më 21 janar.

“Situata është kjo që ja ku jemi këtu 4 muaj më pas ku kërkesa jonë nuk ka marrë ende përgjigje dhe nuk e dimë ende lidhur me rëndësinë materiale apo redaktimet që duhen bërë dhe bëhet fjalë vetëm për 1 kërkesë dhe nuk folim për të tjera, bëhet fjalë për një kërkesë të thjeshtë bëhet fjalë për 6 mijë dokumente”, deklaroi Elis.

Kurse, Lawson deklaroi se lidhur me fletët përmbledhëse do të diskutojnë pas kësaj seance e për masat mbrojtëse tha se kanë bërë kërkesa të tilla për disa dokumente të kësaj rregulle.

“Dokumenti dhe nxjerrja sot ishte rezultat i redaktimeve të nevojshme për të bërë efektive masat mbrojtëse”, tha ajo.

Tutje, u diskutua për materialet shfajësuese, ku prokurorja Lawson deklaroi se nga konferenca e fundit kanë nxjerrë dy paketa të tjera me material potencialisht shfajësues.

“Siç vihet në dukje në parashtrimet tona me shkrim po punojmë për të përfunduar shqyrtimin e materialeve shfajësuese që kemi. Shqyrtimi është fokusuar në materiale që ose janë marrë nga zyra ose ndryshe janë miratuar për tu nxjerrë brenda përafërsisht 6 apo 7 muaj. E kemi vazhduar punë në këtë drejtim”, tha ajo.

Kurse, tha se shqyrtimi vazhdon me një ritëm të shpejtë për këto dokumente dhe rezultatet e shqyrtimit të bërë ose u janë bërë të njohura, pasi janë nxjerrë 21 paketa, apo janë përpunuar për nxjerrje, duke përfshirë kërkesat për redaktimin apo kërkesat për masa mbrojtëse.

Mbrojtja e Thaçit thotë se prokuroria nuk respektoi urdhrin e gjykatës dhe se morën dosjen paragjyqësore katër ditë më vonë

(Përditësuar, ora: 16:19)- Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka deklaruar se prokuroria nuk ka respektuar urdhrin e gjykatës për dorëzim të dosjes paraprake dhe se atë e morën katër ditë më vonë, më 21 janar.

Këtë deklaratë, ai e ka bërë në konferencën e dhjetë mbi ecurinë e çështjes në rastin ku Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Claire Lawson lidhur me nxjerrjen e materialit 102 (1) (b) ka deklaruar se gjykata është në dijeni për një numër shumë të vogël materialesh për palë të treta që i është dhënë zgjatje e afatit.

“Dhe provat përkatëse materiale dhe incizimet e lidhura me to, kanë transkripte përkatëse. Përndryshe ZPS ka përfunduar nxjerrjen e materialeve për rregullën 102 (1) (b) dhe përkthimet. Dje kemi marrë konfirmim zyrtar nga pala e tretë në fjalë që incizimet në fjalë mund t’i nxjerr dhe se do të na nxjerr”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se dje janë informuar se për një prej këtyre provave materiale të lidhura me këto, është marrë miratimi për të dhënë. Sipas saj, kjo do të thotë se ka mbetur një material i tillë për të cilin mbetet të merret pëlqimi.

Tutje, tha se lidhur me nxjerrjen e rregullës 102 (1) (2) mbetet nxjerrja e njërës prej intervistave dhe sipas saj kjo do të ndodhë javën e ardhshme.

Ajo tha se po zhvillohet një proces gjyqësor para trupit gjykues numër 1, që vazhdon të nxjerr materiale që bien objekt i nxjerrjes së materialeve.

“Prokurorja në atë gjykim e ka përfunduar nxjerrjen e materialeve sot dhe do të jetë e detyrueshme të shohim nëse kemi kryer gjithë obligimin e nxjerrjes lidhur me këtë”, tha ajo, kurse theksoi se rubrikat e dëshmitarëve janë përfunduar dhe janë lidhur me provat përkatëse.

Sipas saj, ZPS nuk ka kapacitetin teknik që të ngarkojë në sistem metadatat lidhur me rubrikat e dëshmitarëve, por se do të bëjnë organizimin që t’iu jepen zyrës administrative emrat e dëshmitarëve që të bëhet lidhja me rubrikat.

Kurse, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, lidhur me nxjerrjen sipas rregullës 102 (1) (b), deklaroi se kanë marrë 1 mijë e 954 materiale shtesë.

“Këtë të hënë më 31 janar, kemi marrë kemi marrë 1 mijë e 613 materiale nga ato 1 mijë e 954 që përmenda. Prandaj, është një vënie në dispozicion e këtyre materiale në përputhje me praktikën e zakonshme që bën tashmë prokuroria që thjesht na shkarkon shumë materiale para se të zhvillohet një konferencë para gjykatësit”, ka thënë ai.

Për procesin gjyqësor kundër Salih Mustafës që përmendi ZPS, tha se është një vendim që është marrë aty.

“Për transkriptet, materialet nuk kemi marrë asgjë. Ky gjykim ka kohë që ka filluar. Prokuroria thotë se e ka përfunduar nxjerrjen për rregullin 102 (1) (b), por nuk e ka përfunduar”, ka thënë Kehoe.

Ai tha se prokuroria dëshiron të shtojë ende dokumente, për të cilat thonë që iu ka shpëtuar vëmendja dhe i kanë redaktuar pa i kërkuar gjykata.

“Ne e dinim që prokuroria do të duhej ta protokollonte dosjen sipas urdhrit të gjykatësit, më 17 dhjetor por a e bëri prokuroria këtë gjë. Jo, ne nuk e kemi marrë këtë dokument deri para datës 21 dhjetor, pra katër ditë më vonë. Prokuroria ka vepruar prapë me kokën e vet, e dorëzuan më 17 në vulë dhe ne e kemi marrë më 21 dhjetor në shkelje të plotë të urdhrit të gjykatës”, tha ai.

Ai deklaroi se prokuroria ka shtuar edhe dokumente të tjera shumë kohë pas afatit, duke redaktuar në mënyrë të njëanshme dhe duke i shtuar në listën e dëshmitarëve sipas rregullës 102 (1) (b).

Sipas tij, afatet nuk kanë asnjë vlerë për prokurorinë.

“Ato duhet t’i ishin drejtuar gjykatës që të redaktonin këtë dokumente, por e bënë me kokën e tyre, dhe tani kemi 132 dokumente që na vendosen me redaktime. Si gjithmonë ZPS redakton gjithçka”, ka thënë avokati Kehoe.

Kurse, nga ekipi i mbrojtjes së Kadri Veselit, Annie O’Reiley, tha se mbështesin parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit.

“Kërkesa që ka bërë prokuroria në paragrafin e tretë thotë se materialet e mëtejshme janë marrë ose vonë, pra nga fundi i vitit 2021 dhe nga janari 2022 ose thjesht iu ka shpëtuar nga vëmendja. Ne kemi nevojë të marrim prej tyre lidhur me materialet e tjera që do të kenë në zotërim në të ardhmen që t’i shqyrtojmë nëse bien në rregullën 102 (3) apo 102 (1) (3), sepse nuk kemi marrë ndonjë përditësim që prej verës”, tha ajo.

Ndërkaq, Aidan Elys nga ekipi i Krasniqit tha se mbështesin parashtrimet e bëra, kurse për forumin e punës deklaroi se takimi i parë ka ndodhur.

Ndërkaq, prokurorja ka deklaruar se në konferencën e fundit, prokuroria u vu në dijeni të provave materiale shoqëruese dhe dokumentit më pak të redaktuar dhe paredaktuar, që janë pjesë e pakos 154 dhe diskutuan edhe për dy dokumente dhe dokumente tjera të paketës 155.

Ajo tha se të njëjtat dokumente nuk ishin marrë parasysh më parë apo janë anashkaluar kur kanë parashtruar dokumentet e pakos 154 dhe se është e vërtetë që kanë dorëzuar këtë material më 31 janar dhe e kanë bërë që t’ua vënë në dispoziciom mbrojtjes.

Kurse, për shifrën e dokumenteve që u përmendën nga mbrojtja e Thaçit, tha se përfshihen edhe dokumentet që janë dhënë përpara.

Lidhur me materialet e gjykimit te trupi gjykues 1, ajo tha se prokuroria sot ka mbyllur shqyrtimin e këtyre dokumenteve dhe do të bëjnë menjëherë dhënien e dokumenteve për mbrojtjen, por se afat kohor për këtë nuk mund të japin.

Sa i takon dosjes paragjyqësore, tha se është dorëzuar më datë 17 në përputhje me afatin e caktuar dhe është njoftuar më 21 dhjetor në përputhje me praktikën e punës.

“Parashtrimi ishte voluminoz, kishte shtojca të mëdha që kërkonin redaktim”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, avokati Kehoe tha se shqetësimi ka të bëjë me dosjen paraprake, nëse ata vendosën që të mos e parashtrojnë me afatin kohor të përcaktuar dhe nuk morën leje.

“Çfarë logjike ka të paturit një urdhri gjykate ndërkohë që nuk respektohet fare. Ata nuk kanë kërkuar leje për ta dorëzuar dosjen katër ditë më pas, prokuroria bën atë që i bën qejfi të bëjë. Kjo është model që prokuroria e përdor, kështu e ka mënyrën e të punuarit”, tha ai.

Tutje shtoi se i njëjti arsyetim vlen për 132 dokumentet që u redaktuan në mënyrë të njëanshme, duke shtuar se nuk morën mundimin që t’iu kërkonin leje.

Sa i takon mbrojtjes së Salih Mustafës, ai tha se arsyeja është se baza është e njëjta e sa i takon gjithë dëshmitarëve dhe provave materiale, tha se nuk i kanë marrë akoma ato.

Lidhur me dosjen paragjyqësore, gjyqtari Nicolas Guillou bëri një deklaratë.

“Mendoj se dosja është dorëzuar më 17 janar në mbrëmje ndërkaq versioni i redaktuar është parashtruar të martën më 21 janar, është e vërtetë që është bërë me vonesë. Në vendimin në të ardhmen do të përmend që të parashtrohen të njëjtën ditë”, ka thënë ai.

Fillon konferenca e dhjetë mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

(Përditësuar, ora: 15:26)- Ka filluar konferenca e dhjetë për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku do të diskutohet lidhur me nxjerrjen e provave, përkthimet e shkresave, hetimet e prokurorisë e ato të mbrojtjes.

Të akuzuarit, këtë seancë po e ndjekin përmes video-lidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Rasti ndaj Thaçit e të tjerëve, sot diskutohet për nxjerrjen e provave, përkthimet, hetimet e ZPS-së dhe mbrojtjes

Në konferencën e dhjetë për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila është caktuar të mbahet sot, pritet të diskutohet lidhur me nxjerrjen e provave, përkthimet e shkresave, hetimet e prokurorisë e ato të mbrojtjes.

Kjo është bërë e ditur përmes vendimit për caktimin e konferencës të gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, ku ka përcaktuar edhe pikat e diskutimit që do të zhvillohen sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Të ngjashme