I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë thënë në Beograd se gjithçka për të cilën është arritur pajtimi në të kaluarën në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet, si dhe kjo sipas tyre vlen për të dyja palët.
Që të dy, gjithashtu kanë bërë thirrje për përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë deklaruar vazhdimisht se janë të gatshëm të shkojnë në Bruksel, kur të jenë të ftuar, si dhe që janë të përkushtuar ndaj procesit.
Ai shtoi se do të dëshironte të shihte “përparim në procesin e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese”.
“Ju kujtohet që pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, tha Lajçak.
Ndërkohë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut, por se e mbështetë atë dhe është e gatshme të ndihmojë.
Ai shtoi se qëndrimi i SHBA-së është që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të diskutohet dhe se për këtë i takon të dyja palëve të arrijnë pajtimin gjatë dialogut.
“Çdo marrëveshje që do të arrijnë, ne do ta mbështesim, financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, theksoi Escobar.
Këto komente Escobar dhe Lajçak i bënë pas përfundimit të takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë si dhe partitë e tjera opozitare në Serbi.
Escobar dhe Lajçak, pas vizitës në Prishtinës, vazhduan drejt Beogradit ku qëndruan në vizitë dy ditore.
Përpos takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me shefin e diplomacisë serbe, Nikolla Selakoviq.
Selakoviq tha se Serbia është e vendosur që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve fqinje dhe ka qëndrim të fuqishëm se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik demokratik.
Ai gjithashtu u tha bashkëbiseduesve se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi që do të jetë reciprokisht e pranueshme.
Selakoviq theksoi se gati nëntë vjet pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit, Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën e saj kryesore, që është formimi i Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe.
Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në Bruksel në vitin 2013, ndërkaq një marrëveshje tjetër për të ishte arritur në vitin 2015.
Megjithatë, në dhjetor të vitit 2015,Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës. Por, formimi i Asoaciacionit është kontestuar për shkak se ai nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna, në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në rastin konkret, komuniteti serb.
Shefi i diplomacisë serbe ka folur edhe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme të Serbisë në Kosovë. Ai tha se në dy dekadat e fundit, të gjitha ciklet zgjedhore të organizuara nga Beogradi janë zhvilluar në territorin e Kosovës, me ndihmën e OSBE-së.
Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të parakohshme në Serbi janë caktuar për 3 prill.
Në një referendum për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë më 16 janar, autoritetet e Prishtinës nuk lejuan serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar bashkëbiseduesit për zgjedhjet e ardhshme në Serbi, të cilat do të mbahen më 3 prill.
Ai ka shprehur besimin se zgjedhjet do të mbahen në territorin e Kosovës, duke kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja që të përdorin autoritetin e tyre për të ndikuar tek autoritetet e Prishtinës që ta mundësojnë një gjë të tillë.
Siç është thënë në një komunikatë të Parlamentit të Serbisë, Lajçak ka thënë se me vizitën e përbashkët me zëvendësndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit, duan t’i tregojnë të gjithë rajonit se BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtin vizion për Ballkanin, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se “dialogu është procesi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe ka theksuar se pas zgjedhjeve në Serbi, krijohet hapësira për intensifikimin e tij.
Siç është thënë, Lajçak ka deklaruar se qëndrimi i BE-së është që zgjedhjet të organizohen edhe në Kosovë dhe se për këtë është diskutuar gjatë vizitës në Prishtinë.
Escobar tha se dialogu me ndërmjetësimin e BE-së është i vetmi mekanizëm që mbështetë SHBA-ja për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Ndërmjetësi amerikan dhe ai evropian i kanë thënë Daçiqit se në të gjitha bisedimet që kanë pasur në Kosovë, kanë dërguar mesazh të qartë se Asociacioni duhet të formohet, si dhe të zbatohet gjithçka për të cilët është arritur pajtimi përmes dialogut.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka përcjellë para bashkëbiseduesve përkushtimin e Beogradit për vazhdimin e dialogut.
“Por, ai proces duhet të jetë paralel dhe nënkupton që Prishtina t’i përmbushë obligimet e marra nga procesi i dialogut, veçanërisht kur bëhet fjalë për formimin e Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.
Siç është thënë në komunikatë, ai ka shprehur shqetësim edhe për faktin se Kosova nuk po i zbaton vendimet e veta, sidomos kur bëhet fjalë për pronën e Manastirit të Deçanit.
Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me opozitën
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takuan gjithashtu me përfaqësues të opozitës në Beograd.
“SHBA-ja nuk mbështesin partitë politike në Serbi, por zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë së saj. Të gjithë aktorët në jetën e saj politike luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe e bëjnë vendin më të fortë”, tha ambasada e SHBA-së në Twitter.
Në bisedime me të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së ishin Marinika Tepiq nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, Mirosllav Aleksiq nga Partia Popullore, Nathan Albahari nga Lëvizja Qytetarët e Lirë, Dobrica Vesellinoviq nga “Le të mos e mbysim Beogradin”, si dhe Nebojsha Zellenoviq, president i “Së bashku për Serbinë”.
Partitë opozitare që bojkotuan zgjedhjet e mëparshme parlamentare, në qershor të vitit 2020, kanë shpallur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme të prillit. Shumica e opozitës bojkotoi zgjedhjet e fundit, duke besuar se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre të lirë dhe të ndershme.
Pas bisedimeve me presidentin serb Alleksandar Vuçiq, të mërkurën mbrëma, Escobar dhe Lajçak thanë se ishte vendimtare që të dyja palët të përmbushin të gjitha detyrimet nga dialogu. /REL/
Petrit Kryeziu emërohet Kryeprokur i Prizrenit
Këto janë vendimet që mori sot qeveria
Kore e Jugut, ministri i Financave merr detyrën si president...
Kurti për Aeroportin e Prishtinës: Gjatë këtij viti është dy...
Reduktime deri në 12 orë, kush është fajtori për mungesën e ...
Të paktën 69 të vdekur pasi një varkë u fundos në ujërat e M...