Ambasada e Gjermanisë në Kosovë para pak ditësh ka njoftuar se ka hapur listën e regjistrimeve për termine për periudhën mars deri në fillim të muajit prill.
Sipas njoftimit në ueb faqen e ambasadës thuhet se kjo listë do të jetë e hapur deri më 15 shkurt 2022 në orën 14:00.
Por pavarësisht këtij lajmërimi të lëshuar dhe lajmit të publikuar, qytetarët po hasin në vështirësi për të hyrë në këtë hapësirë të faqes së Ambasadës dhe për të regjistruar një termin.
Njoftimi i ambasadës për hapjen e listës për regjistrim të termineve
Disa qytetarë kanë telefonuar në redaksi të Telegrafit duke treguar se nuk po kanë mundësi që të hyjnë dhe të caktojnë termin, edhe pse në njoftim thuhet se lista për regjistrim të termineve është e hapur.
Për këto shqetësime të qytetarëve Telegrafi ka pyetur në Ambasadën e Gjermanisë dhe të njëjtit kanë deklaruar se terminet mund të rezervohen.
“Të gjitha terminet në dispozicion për aplikime për viza për qëndrime afatshkurtëra (Viza Schengen) janë edhe më tej të dukshme në portalin e rezervimit të termineve dhe mund të rezervohen nga gjithsecili. Për shkak të shifrave në rritje të Covid-it dhe përhapjes së variantit Omicron edhe në Kosovë, përkohësisht është dashur të reduktohet dukshëm numri i termineve në dispozicion për aplikime për viza.”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Më tej në përgjigjen e tyre thuhet se dhënia e termineve me qëllim të nisjes së punësimit, bëhet përmes pjesëmarrjes në procedurën e shortit për termine.
“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit….”
Sipas tyre “Ministria e Jashtme Federale me këtë ndryshim në sistem reagon ndaj ankesave të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor të adresuara vitin e kaluar. Për pjesëmarrje në procedurën e shortit për termine në muajin pasues është i domosdoshëm një regjistrim i ri. Në filllim të çdo muaji do të hapet dhe qëndrojë e hapur për 2 deri në 3 javë një listë e re e regjistrimit për termine për aplikim. Periudha e saktë e hapjes së listës publikohet çdo muaj në uebfaqen e ambasadës. Aktualisht është e hapur lista e regjistrimeve për termine për periudhën mars deri fillim të prillit”, thuhet në përgjigjen e tyre”.
Por pavarësisht kësaj, në uebfaqen e ambasadës sot ( kur është bërë raportimi) nuk figuron mundësia për të hyrë dhe për të regjistruar një ternim në ambasadë.
Me të klikuar në linkun ku mund të caktosh termine, automatikisht të del mesazhi “fatkeqësisht, nuk ka termine të disponueshme për momentin. Terminet e reja do të ofrohen për rezervime në intervale të rregullta”.
Ambasada Gjermane në përgjigjen për Telegrafin ka shtuar se sistemi i termineve i ambasadës funksionon pa asnjë pengesë, dhe se bëhet fjalë për një sistem të njësuar për të gjitha ambasadat, i cili nga aspekti teknik administrohet nga Ministria e Jashtme Federale.
“ Ambasada Gjermane në vitet e fundit i ka ngritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të aplikacioneve për viza, ashtu që divizioni i vizave tashmë është njëri nga divizionet më të mëdha të vizave gjermane në botë. Mirëpo kërkesa vazhdon t’i tejkalojë kapacitetet dhe kohërat e pritjes fatkeqësisht nuk mund të shmangen”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë se ambasada ka njoftuar se për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID dhe variantit Omikron, i cili po përhapet edhe në Kosovë, përkohësisht numri i termineve që vihen në dispozicion çdo ditë për aplikime për viza është dashur të reduktohet ndjeshëm.
Aktualisht drejt Gjermanisë mund të udhëtojnë vetëm personat, të cilët posedojnë një dëshmi mbi vaksinimin e plotë kundër Covid-19 me një nga vaksinat e lejuara EMA (aktualisht BionTech-Pfizer/Cominarty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria – secila nga dy doza, Johnson&Johnson/Janssen – një dozë) – doza e fundit e vaksinës duhet të jetë marrë në së paku 14 ditë më parë, ose mund të dëshmojnë që për ata vlenë njëra nga përjashtimet e kufizimeve aktuale të udhëtimit.
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...