Kosova pritet të vendos për zgjedhjet serbe, sikurse për referendumin

08:14 | 3 Shkurt 2022
A. B.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën  kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës më 15 janar të këtij viti.

Megjithatë, kjo rezolutë nuk ndalon mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, të cilat pritet të organizohen në Serbi në  muajin prill.

Ani pse kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Serbi, Qeveria e Kosovës ende nuk marrë ndonjë vendim për lejimin apo jo të organizimit të këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, në komunat me shumicë serbë, shkruan arbresh.info

Arbresh.info ka kërkuar informacione nga Qeveria Kurti nëse do lejohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, megjithatë nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Qeveria aktualisht  ka vendosur të hesht karshi kësaj çështje.

E ndonëse Kosova vazhdon të jetë e heshtur, janë njohësit e çështjeve politike në vend ata të cilët mbajtjen e këtyre zgjedhjeve po e përshkruajnë si antikushtetuese.

Profesor, Mazllum Baraliu për arbresh.info ka thënë se Kosova duhet të këtë parasysh që si më 3 prill edhe në rastet e tjera të respektohet Kushtetuta.

“Për herë të parë është ndërprerë një praktik e tillë duke vepruar kësaj radhe në frymën e kushtetutës dhe ligjeve në fuqi më rastin e  referendumit. Edhe rezoluta i ndihmon shumë që të kenë parasysh që në aspektin e integritetit territorial e politik i ndihmon institucioneve që të kenë parasysh si më 3 prill si në rastet e tjera që të respektohet rendi kushtetues e juridik i këtij vendi”, ka thënë Baraliu.

Madje sipas tij, deklarimet dhe veprimet nga ana e Bashkimit Evropian për këtë çështje nuk i bëjnë nder as vetë atyre.

“Vlera më sublime e BE-së është respektimi i ligjit i një vendi dhe nuk është mirë që disa përfaqësues që janë nga shtete mos njohëse ndaj Kosovës të ngritën zëra tilla që të lejohen zgjedhjet e 3 prillit. Ka zgjidhje tjetër ku qytetarëve që kanë dy shtetësi do të duhej të zbatohej edhe për ta e kanë Kurshumlinë e kanë Rashkën dhe lë të shkojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre pasi askush nuk i pengon që të shkojnë. Opozita e pozita duhen të jenë të bashkuara si për referendum edhe për zgjedhjet e 3 prillit”, ka vlerësuar Baraliu.

Se është e drejt e Qeverisë së Kosovës si shtet sovran të vendos për lejimin ose jo të zgjedhjeve për shtetasit e huaj brenda vendit e ka deklaruar edhe profesori, Nexhmedin Spahiu.

“Mendoj që përkrahja që ka pas Kosova nga Amerika për referendum është shenjë që kështu do të veproj Kosova edhe për zgjedhjet serbe më 3 prill”, tha Spahiu për arbresh.info.

Sipas profesor Spahiut, lejimi i këtyre zgjedhjeve brenda Republikës së Kosovës do të krijojë mendime se Kosova është ende pjesë e Serbisë.

“Insistimi që zgjedhjet të mbahen përmes zyrës diplomatike serbe në Kosovë ka një qellim për të forcuar këtë zyrë”, ka përfunduar Spahiu.

Ndryshe, më 15 janar, Kosova më anë të një rezolute në Kuvendin e Kosovës nuk lejoi që të mbahet referendumi serbë në Kosovë.

Ndonëse për këtë në zyre të krerëve shtetëror të Kosovës shkuan edhe vendet e QUINTI-t, vendimi ishte unanim nga deputetet e Kosovës.

E kjo bëri që po nga 15 janari, përfaqësuesit serbë mos të ndalen me deklarata kundër Kosovës.

Madje përfaqësuesit e Listës Serbe paralajmëruan se nëse Kosova nuk lejon të mbahen as zgjedhjet serbe më 3 prill në Republikën e  Kosovës, atëherë pasojat do të jenë të mëdha, duke përmendur edhe reciprocitetin në të gjitha pikat./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme