OBSH: Është shumë herët që të deklarojmë fitoren mbi pandeminë

23:01 | 1 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se nuk është ende koha për të shpallur fitoren ndaj koronavirusit dhe për të hequr masat.

“Është shumë herët për t’u dorëzuar ose shpallur fitore në ndonjë vend”, tha Tedros Adhan Ghebreyesus në një konferencë shtypi, duke shprehur shqetësimin për numrin në rritje të vdekjeve në pjesën më të madhe të botës, transmeton portal arbresh.info

Thirrja e tij për kujdes vjen në një kohë kur disa vende po mendojnë një rikthim në jetë siç ishte përpara pandemisë.

Danimarka ka vendosur që të marrë një hap të tillë sot, pavarësisht numrit rekord të rasteve të infeksionit, duke vlerësuar se mund të bëjë këtë falë mbulimit të lartë të vaksinimit dhe rrezikut më të ulët të versionit Omicron.

Drejtori i Programit të Shëndetit Emergjent të OBSH-së, Michael Ryan tha se ka frikë se disa vende, për shkak të presionit politik, po përpiqeshin të imitonin qeveritë që tashmë po lehtësonin masat, duke injoruar situatën shëndetësore në vendin e tyre dhe vaksinimin.

Në anën tjetër, Maria Van Kerkhove, përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në OBSH, paralajmëron se masat nuk duhet të lehtësohen shpejt.

“Ne bëjmë thirrje për kujdes, sepse shumë vende nuk e kanë arritur ende kulminacionin e valës së infeksionit me Omicron. Shumë vende kanë nivele të ulta të vaksinimit”, tha ajo./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme