Google ADS

Çfarë i tha Lajçakut OSBE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të prillit në Kosovë?

12:44 | 1 Shkurt 2022
V. S.

Misioni i OSBE-së, edhe për zgjedhjet e prillit që do të mbahen në Serbi, thonë se janë të gatshëm të bëjnë grumbullimin e votave edhe në Kosovë, si në të kaluarën, megjithatë sqarojnë se për të ndodhur një gjë e tillë duhet të ketë një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe akterëve të tjerë relevantë. Për këtë thonë se e kanë njoftuar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it në një letër të përbashkët, kishin kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që të lejonin organizimin e procesit të votimit për referendumin e fundit të mbajtur në Serbi. Sipas ndërkombëtarëve, një proces i tillë do të realizohej në praktikën e instaluar në të kaluarën ku misioni i OSBE-së merrej më grumbullimin e votave.

Megjithatë referendumi nuk është lejuar nga qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, derisa OSBE-ja përmes një komunikate e kishte bërë të qartë gatishmërinë për grumbullimin e votave, por kishin sqaruar se pa pasur një dakordim të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

Qëndrim të njëjtë mban OSBE-ja edhe sa i përket zgjedhjeve presidenciale të muajit prill të cilat do të mbahen në Serbi, e të cilat Beogradi kërkon që të organizohen edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu ka thenë  një zëdhënës i këtij misioni përmes një përgjigje me shkrim. Për gatishmërinë e tyre për të mbledhur votat thonë se i kanë njoftuar edhe të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe gjithashtu edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Miroslav Lajcak, megjithatë thonë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur të jenë plotësuar kushtet, pra kur të ketë një dakordim Kosovë-Serbi dhe të institucioneve të tjera relevante.

“OSBE-ja, përmes misionit të saj, ka kryer mbledhjen e votave të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë që nga viti 2012, mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo është bërë, gjithmonë bazuar në një marrëveshje reciproke në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe me pajtimin e të gjitha institucioneve relevante për një aktivitet të tillë.Siç e ka bërë të qartë misioni i OSBE-së në Kosovë, ai vazhdon të jetë i gatshëm për të bërë grumbullimin e votave kur një kusht i tillë të përmbushet. Kjo i është komunikuar të gjitha shteteve pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerëve, përfshirë edhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Lajçak”, ka thënë ky zëdhënës i OSBE-së për express.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, më 25 janar në Vjenë të Austrisë, kishte takuar Sekretaren Gjenerale të misionit të OSBE-së, Hekga Schmid, me të cilën ka biseduar për aktiveitet e misionit në Ballkanin Perëndimor.

Lidhur me referendumin serb që nuk ishte lejuar të mbahej në Kosovë, ka pasur një reagim edhe të ambasadorit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter. Carpenter kishte theksuar se SHBA-ja respekton sovranitetin e Republikës së Kosovës, derisa në fund kishte treguar se presin diskutime me Kosovën dhe Serbinë, mbi atë se si do të mund të gjendej një zgjidhje për të mundësuar të drejtën e votimit.

“Mezi presim të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për të siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre. dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”, kishte theksuar Carpenter.

Institucionet e Republikës së Kosovës kur ishte në pyetje referendumi serb, kishin sqarur se serbët që jetojnë në Kosovë dhe kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë për referendumin në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë apo përmes postës. Për të mos lejuar organizimin e votimit për referendum, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë edhe një Rezolutë.

Me një gjë të tillë nuk është pajtuar Serbia të cilët e kanë quajtur si vendim “skandaloz”, derisa kanë paralajmëruar “pasoja” nëse Kosova s’do të lejojë serbët të votojnë edhe në zgjedhjet e prillit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme